E shtunë, 21 Shtator, 2024

Mungesa e cilësisë: Çfarë duhet bërë për reformë substanciale në arsim?

- Advertisement1-

Eksperti i çështjeve pedagogjike, Xheladin Murati , thotë për KDP se gjendja e arsimit në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbetet larg cilësisë dhe angazhimit për përmirësimin e saj.

Sipas tij, nuk ka ndryshime në strukturë, në përmbajtje, në programe, në qasje e metodologji të punës arsimore e të menaxhimit me shkollën.

- Advertisement -

Satki Ismaili, arsimtar shumëvjeçar dhe njohës i zhvillimeve në sistemin arsimor thekson për KDP se në dy dekadat e fundit dukshëm vërehet rënia e rezultateve në testimet ndërkombëtare.

Ai jep një pasqyrë të dhënash nga testimet ndërkombëtare, në të cilat Maqedonia e Veriut zakonisht radhitet në vendet e fundit, ndërkohë që shpjegon sfondin kompleks të këtij dështimi dhe ndryshimet që duhet bërë

Shkruan: Enis Shaqiri

Cilësia e arsimit në shkollat fillore dhe ato të mesme në Republikën e Maqedonisë së Veriut, padyshim që është një ndër problemet më sfiduese dhe aktuale ditëve të sotme. Diversiteti i ngulitur në sistemin e arsimit fillor dhe të mesëm, i kuptuar në kontekste të ndryshme, është gjithashtu një sfidë për ndryshimin e cilësisë së arsimit në vend.

Eksperti i çështjeve pedagogjike, Xheladin Murati , thotë për KDP se gjendja e arsimit në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbetet larg cilësisë dhe angazhimit për përmirësimin e saj. Sipas tij, nuk ka ndryshime në strukturë, në përmbajtje, në programe, në qasje e metodologji të punës arsimore e të menaxhimit me shkollën.

“Në nivelin ku është aktualisht arsimi dhe shkolla në Maqedoni, nuk mjafton vetëm të bëhen reforma, por duhet të përpilohen strategji konkrete dhe të ndiqen vazhdimisht politikat e reja për të qenë në hap me kërkesat e kohës, teknologjisë dhe zhvillimit.Për të elaboruar temën në fjalë kam parasysh këto premisa:ndryshimet teknologjike implikojnë ngritjen e cilësisë së arsimit e të shkollës, konkurrenca globale nxit cilësinë si faktor primar të përparimit të shoqërisë, liberalizimi i tregjeve dhe tregu i punës domosdoshmërisht e shtron cilësinë e arsimit si proritare, pa libra madje edhe me libra me gabime, lëshime mangësi materiale e gjuhësore nuk arrihet cilësi. Këto premisa drejtpërdrejti burojnë nga roli kyç i arsimit dhe shkollës me cilësi të lartë,” thekson Murati.

- Advertisement -rrrrrrr

Mungesa e cilësisë në arsim dhe pajtimi me këtë mungesë është një rrezik i tmerrshëm i cili e cenon shoqërinë, ndërkaq, sipas Muratit në këtë drejtim duhet që të ndërmerren disa masa në lidhje me ngritjen e cilësisë dhe efikasitetit në kualitetin arsimor, ku më të rëndësishme janë modernizimi arsimit, aftësimi i nxënësve për profesione profitabile si dhe rishqyrtimi i shkollave profesionale në vend.

“Ngritja e cilësisë dhe efikasitetit është e domosdoshme sepse vetëm ashtu nxënësit-studentët aftësohen për teknologjitë e reja, punësimet e lehta dhe mund të ndalet largimi i ‘trurit’ nga vendi, madje ky largim apo kjo arrati bëhet me entuziazëm sepse mungon perspektiva. Njëherësh atmosfera politike këtë proces e shton dhe e favorizon edhe më tepër. Në këtë kontekst duhet të ndërmerren disa masa: së pari, modernizimin e arsimit e të shkollës; së dyti, aftësimin e nxënësve për profesione profitabile; së treti, rishqyrtimin e shkollave profesionale, rrjetet, programet, kompetencat e të ngjashme ”, thekson Murati.

Nga 124 shkollat e mesme ekzistuese, 108 prej tyre janë publike, ndërsa 16 shkollat e tjera janë private. Nga shkollat e mesme publike, 23 janë gjimnaze, 43 janë profesionale, 33 ofrojnë arsim si gjimnaze edhe si shkolla profesionale, 4 shkolla janë për nxënësit me nevoja të posaçme arsimore dhe 5 të tjera janë shkolla artistike

Krahas shkollave të mesme, numri i shkollave fillore është 1081.

Sistemi arsimor në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përbëhet nga arsimi parashkollor, fillor 6-14 vjeç, që zgjat nëntë vjet dhe është i detyrueshëm, i mesëm 15-17/18 vjeç, që po kështu është i detyrueshëm dhe i lartë.
Pra arsimi i detyrueshëm në vend zgjat 13 vjet nga mosha 6 deri në 18 vjeç.

Të arriturat arsimore të nxënësve të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga rezultatet e testimeve ndërkombëtare, në dy dekadat e fundit kanë qenë nën mesataren e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë në testimin e kryer nga PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve) në vitin 2018, ka pasur një rritje të arritjeve në krahasim me vitin 2015.

Satki Ismaili, arsimtar shumëvjeçar i matematikës në shkollën fillore “Kirili dhe Metodij”, thekson për KDP se në dy dekadat e fundit dukshëm vërehet rënia e rezultateve në testimet ndërkombëtare.

“Nëse bëhet analiza e rezultateve të testimeve ndërkombëtare dy dekadat e fundit vërehet rënie e dukshme edhe përskaj promovimeve në vazhdimësi të institucioneve arsimore për ndryshime dhe reforma të cilat vështirë jetësohen edhe për arsye të nisjeve dhe ndërprerjeve në vazhdimësi të iniciativave për reforma për arsim kualitet. Duhet të theksohet se vetëm nga viti 2006 janë emëruar 10 ministra arsimi ku secili ka promovuar ndryshime por asnjëri nga ata nuk ka përfunduar mbi 2 vite mandat, ndërsa pasojat janë vërejtur në arsim duke i anashkaluar reformat paraprake, ” thekson Ismaili.

Sipas Ismailit, nga krejt rrethanat e testimeve ndërkombëtare sistemi arsimor ka këta dëshmi nga hulumtimet e bëra, si vijojnë :

TIMSS (Tendencat në Studimin Ndërkombëtar të Matematikës dhe Shkencës), studim ndërkombëtar për matematikë dhe lëndë shkencore që bën matjen e diturive dhe shkathtësive të nxënësve të klasave të 4-ta dhe të 8-ta, ku në matematikë nga 58 shtete RMV është në vendin e 45, ndërsa në shkenca natyrore në vendin 51. Testimi i realizuar në vitin 2019.

PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve), studim ndërkombëtar për të lexuarit me kuptim, matematikë dhe shkenca natyrore që bën matjen e diturive dhe shkathtësive të nxënësve të moshës 15 vjeçare, ku në lexim me kuptim dhe matematikë nga 77 shtete RMV është në vendin e 67, ndërsa në shkenca natyrore nga 77 shtete RMV është në vendin e 63. Testimi është realizuar në vitin 2018. Edhe pse në krahasim me rezultatet e vitit 2015 janë më të mira, përsëri RMV është në pjesën e fundit të të ranguarve.

PIRLS (Progresi në leximin ndërkombëtar- Studimi i shkrim-leximit), studim ndërkombëtar që bën matjen e shkathtësive dhe diturive të nxënësve të moshës 9 dhe 10 vjeçare. Testimet në RMV janë realizuar në vitin 2001 dhe 2006 ku rezultatet e nxënësve të RMV nuk kanë qenë të kënaqshme, ndërsa testimi i fundit është realizuar në vitin 2021 dhe rezultatet finale ende nuk janë të publikuara.

Këto janë të dhënat që i ofron Satki Ismaili, një pasqyrë për testimet ndërkombëtare dhe për rangimin e nxënësve nga Maqedonia e Veriut.

Ismaili për më tepër thekson se cilësia e arsimit në Maqedoninë e Veriut varet nga shumë faktorë, ndërkaq faktorët më kryesor, sipas tij, që kanë ndikim në rënien e cilësisë në arsim, kanë të bëjnë me zhvillimin profesional të mësimdhënësve për implementimin e programeve mësimore, kualitetin e librave , kushtet dhe rrethanat ku realizohet procesi arsimor etj.

“Cilësia e arsimit në RMV varet nga shumë faktorë të cilët dy dekadat e fundit nuk kanë dhënë rezultatet e pritura për arsye të ndryshme. Faktorët që kanë ndikim në rënien apo mosngritjen e cilësisë në arsim kanë të bëjnë me: implementimin e strategjive për cilësi dhe qëndrueshmëri të cilësisë në arsim, cilësia e programeve mësimore, kushtet dhe rrethanat në të cilat realizohet procesi edukativo-arsimor, zhvillimi profesional i mësimdhënësve për implementimin e programeve mësimore, përdorimi i metodave, teknikave dhe strategjive kualitative dhe përdorimi i resurseve të ndryshme didaktike të përshtatura për të gjitha kategoritë e nxënësve, kualiteti i librave dhe materialeve tjera përcjellëse, realizimi dhe kërkimi i mësimdhënies dhe mësimnxënies në nivele më të larta konjitive dhe metakonjitive, rrethanat demotivuese shoqërore e në veçanti i nxënësve dhe të rinjve për ardhmërinë e tyre në tregun e punës (mësimdhënësi i motivuar, motivon edhe nxënësit dhe anasjelltas), si dhe arsimi i mesëm obligativ që rrit numrin e pjesëmarrësve në arsim por nuk është faktor cilësie ” thekson Ismaili.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Prindërit nuk janë fajtorë nëse fëmija nuk ha, ja çfarë ka zbuluar studimi i fundit

Prindërit nuk janë fajtorë për "fëmijët e bezdishëm me ushqimin" thonë studiuesit, pasi një...

Shkolla “Bajram Abdiu”, në Bicaj të Kukësit e renovuar tërësisht – nxënësit do të mësojnë me kushte dinjitoze

Shkolla "Bajram Abdiu", në Bicaj të Kukësit, është renovuar komplet. Pamjet i ka ndarë...

Agim Baçi: Mësojuni fëmijëve se gjyshërit nuk janë vetëm prindërit e prindërve, por edhe një histori dhe përvojë më vete

A e dini se gjyshërit nuk janë vetëm prindërit e prindërve, por edhe një...

Ben Gavazaj, nxënësi nga Prizreni që la Amerikën dhe u kthye në Kosovë

Ben Gavazaj, është nxënës i klasës së katërt në shkollën "min Duraku në Prizren....