“Figura e mësuesit për nga rëndësia e misionit është figura qendrore e shoqërisë që meriton vlerësim maksimal për kontributin e vyer që jep në formimin e brezave”, shkrim reflektues nga Muhamet Selmani, drejtor i shkollës “Ibrahim Gjorgji” Radomirë, Kala e Dodës, Dibër.
“Më mirë se një mijë ditë studim i zellshëm, është një ditë me një mësues të madh”
Mësuesit personazhet më të rëndësishme të shoqërisë. Rëndësia e mësuesit qëndron në përgjegjësin e edukimit të gjeneratave të së ardhmes në të gjitha fushat e jetës. Ҫdo ditë që mësuesit marrin pjesë në klasë formojnë të ardhmen e Shqipërisë, të ndritshme, të fortë dhe të begatë. E nuk ka kapital më të madh se kapitali “njeri i formuar mirë”. Ҫdo njeri ka potencialin për t’u bërë dikush, por të kushtëzuar nga një fakt, fakt që e ka emrin “cilësia e mësuesve” që e kanë mësuar dhe edukuar. Prandaj mësuesi i mirë është aset-i më i madh që një shoqëri mund të ketë. Figura e mësuesit për nga rëndësia e misionit është figura qendrore e shoqërisë që meriton vlerësim maksimal për kontributin e vyer që jep në formimin e brezave.
Mësuesit, mendimtarët, shkencëtarët janë heronjtë dhe yjet e vërteta të shoqërisë që ndriçojnë gjeneratat e së ardhmes por edhe si shembull referencë për t’i imituar dhe për t’u ndjekur në jetë. Njerëzit vlerësohen sipas meritave që kanë dhe mbi bazën e produktit që ofrojnë në shoqëri. Dituria është ajo që e bën mësuesin një figurë të ngritur. Mësuesit janë yjet e shoqërisë për shkak të dritës së diturisë që rrezatojnë në edukimin e brezave. Duke u nisur mbi këto kritere mund të konkludojmë se kjo është pikërisht ajo kategoria e yjeve dhe modeleve të vërteta për t’u imituar dhe marrë si referencë shembull nga gjeneratat e reja me qëllim që ato të kenë një formim sa më solid. Në kohën e sotme jemi dëshmitar të përparimit shkencor si shkak i mendjeve të ndritura por në anën tjetër të medaljes po përjetojmë një rënie të vazhdueshme intelektuale, morale dhe emocionale. Ka një mos vlerësim të mendjes dhe figurave të mendimit. Në vend të tyre po promovohen të ashtuquajtura yje të muzikës dhe spektakleve mediatike që në emër të lirisë së padisiplinuar shndërrohen në një model negativ për gjeneratat e reja. Ne shqiptarët kemi nevojë të ndryshojmë qasjen dhe fokusin tonë duke shkuar në gjurmët e më të mirëve dhe jo të ndjekim modelet e gabuara. Mësuesit janë yjet ndriçuese që formojnë shoqërinë e dijës.
Kauza e edukimit të gjeneratave të së ardhmes midis podiumeve të diturisë (shkolla, universitete) dhe podiumeve mediatike (studiove televizive). Kredoja e shkollës është: Dituria, zhvillimi i inteligjencës, edukimi, etika e sjelljes, formimi i ndërgjegjes dhe karakterit, përgatitja e gjeneratave me aftësi për jetën duke u dhënë edukatën e duhur.
Media në anën tjetër është një ndërmarrje ekonomike dhe si e tillë në qendër ka fitimin. Në këtë kontekst kemi dy podiume me fokusime të ndryshme. Një raport i tille me forca tërheqëse të ndryshme çon në ç’bërjen e edukimit. Problemi i disa medieve është promovimi i kotësisë dhe lirisë së padisiplinuar duke shkelur vijnë e moralit, duke mos iu përmbajtur kodit të etikës, duke mos bërë dallimin mes lirisë së fjalës dhe mungesës së sjelljes, duke shfaqur produkte që i drejtohen instinktit dhe jo arsyes, promovohet vesi dhe jo virtyti, idiotësinë dhe jo mençurinë, duke degraduar seriozisht kulturën, dëmtojnë moralin publik, dhe veçanërisht duke dëmtuar zhvillimin mendor dhe moral të gjeneratave të reja nga përmbajtja e programeve audio-vizive. Në këto rrethana të duket sikur shkolla e humb betejën përballë injorancës, morali po bie poshtë, dhe po prodhohen gjenerata të humbura.
Dhe kush është përgjegjës për këtë?
Të gjithë jemi përgjegjës. Kishte me qenë një investim kombëtar për shoqërinë sa më të shëndosh dhe larg veseve dhe devijancave, veçanërisht për brezat e ri sikur edhe media në sinkron me shkollën të transmetonte emisione edukative, kulturë e dije të dobishme qytetare. Për një edukim të plotë kërkohet një përkushtim i plotë ku gjithsecili ta bëjë më të mirën e mundshme shkolla, media, politika, familja etj. Është mirë të largosh mushkonjat, por është më mirë nëse thajmë kënetat-duke rregulluar kulturën, duke sfiduar mbeturinat toksike shoqërore që korruptojnë rininë dhe duke përmirësuar rrënjët morale të karakterit.
Dituria, arsimtarët, mësuesit dhe mendimtarët janë faktorët e ngritjes së një kombi. Popujt, vetëm me shkencë, dituri dhe me edukatë, mund të përparojnë. Nëse duam një komb të ngritur duhet të kujdesemi për brezin e ri. Por si të kujdesemi për brezin e ri? Duhet të fillojmë me mësuesit, atyre që u është dhënë dituria. Mësuesit kanë në dorë ndërtimin e së ardhmes me formimin e nxënësve. Prandaj pozita e mësuesit është e një rëndësie të veçantë e si e tillë meriton vlerësim maksimal. Mësuesit janë faktorët dhe aktorët e ndryshimit të shoqërisë të cilët ndriçojnë shpirtin, mendjen dhe sjelljen e nxënësve dhe i përgatitin gjeneratat për një të ardhme më të mirë. Një popull që diturinë dhe mësuesit nuk i ka prioritet nuk ka zhvillim. Ҫdo komb mund të shuhet pa marrë dituri. Shpresa jonë është se e vërteta që vjen nga dituria dhe nga autoritetet morale të shoqërisë do të triumfojë. Asgjë nuk ka më të rëndësishme se investimi në mendjen e ndritur. Shkollat si vatrat e dijes dhe arsimtarët janë projektorët e rrugës së kombeve.
Sami Frashëri do të thoshte: “Në ka ndonjë gjë për të cilën shqiptarët duhet të kujdesen më të tepërt, ajo pa dyshim është dituria”.
Nga Muhamet Selmani
Drejtor i shkollës “Ibrahim Gjorgji” Radomirë
Kala e Dodës, Dibër
©Portali Shkollor