Motra dhe dy vëllezërit, ankand bamirërsie me pikturat e tyre për të ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta

- Advertisement -

Në një akt të jashtëzakonshëm humanizmi, tre fëmijë të mrekullueshëm, Arnisa (12 vjeç), Dielli (11 vjeç) dhe Kaoni (7 vjeç), vëllezër e motër nga një familje me shpirt të madh, kanë realizuar një ankand bamirësie me pikturat e tyre për të ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta.

Ky event, i organizuar nga Psikologia Organizative Sociale Menderime Adilovci Asanaj, u mbajt për nder të Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down dhe pati një ndikim të jashtëzakonshëm në ndërgjegjësimin e shoqërisë për këta fëmijë.

- Advertisement -

Të mbështetur nga drejtoresha e shkollës “Lidhja e Prizrenit”, Mejreme Kolica Shatri, ky ankand i veçantë mblodhi fonde për të përmirësuar ambientin shkollor të fëmijëve me nevoja të veçanta. Akti i tyre i pastër dhe i sinqertë u përshëndet nga shumë figura publike, të cilët dërguan mesazhe mbështetëse.

Ndër të pranishmit ishte edhe Eliza Hoxha, e cila vlerësoi përpjekjet e këtyre tre fëmijëve të jashtëzakonshëm.

Një moment prekës dhe frymëzues i këtij eventi ishte një letër e dërguar nga Prof. Dr. Mimoza Shahini. Për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, ajo nuk mundi të ishte fizikisht e pranishme, por e dërgoi mbështetjen e saj përmes një letre të ngrohtë dhe prekëse.

- Advertisement -

Gjatë eventit, kjo letër u lexua nga moderatorja, ndërsa më pas ish-studentja e saj, psikologe Menderime Adilovci Asanaj, e ka përgatitur dhe lexuar në një video të veçantë për nder të profesoreshës, ashtu siç ajo do të dëshironte. Ky moment emocionoi thellë të gjithë të pranishmit.

Këta tre fëmijë nuk janë të panjohur në botën e humanizmit. Ata kanë zhvilluar më parë projekte humanitare vullnetare për të moshuarit dhe për fëmijët me kancer. Ata kanë bërë një projekt humanitar vullnetar për të moshuarit në rezidencën e të moshuarve Orenda në Pejë, ku kanë dhuruar ushqime, dhurata dhe përshkrime me motive pozitive për të gëzuar të moshuarit.

Me të ardhurat nga një revistë e botuar prej tyre, ata kanë dhuruar 5,000 euro për trajtimin e fëmijëve me kancer në spitalin e pediatrisë-onkologji. Arnisa, në moshë të vogël, ka zgjedhur të festojë ditëlindjen e saj në spital me këta fëmijë për të sensibilizuar në këtë ditë gëzimi dhe për të festuar së bashku me ta, duke dhuruar të gjitha dhuratat e saj të ditëlindjes për ta.

Këtë herë, ata kanë përdorur talentin e tyre në art për një qëllim të madh të ndihmojnë shokët dhe shoqet e tyre të shkollës me nevoja të veçanta. Me të ardhurat e grumbulluara nga ankandi i pikturave të tyre, do të rinovojnë një klasë të dedikuar për fëmijët me Sindromën Down, autizëm dhe nevoja të tjera të veçanta, si dhe do të sigurojnë të gjitha mjetet që u nevojiten këtyre fëmijëve për zhvillimin e tyre të plotë.

Këta fëmijë janë një shembull i shkëlqyer i humanizmit dhe dashurisë për të tjerët. Me veprimet e tyre të vogla, por me ndikim të madh, ata po ndryshojnë botën dhe po na mësojnë se altruizmi nuk ka moshë.

Ky event është një frymëzim për të gjithë ne!