Binjakët Ermira dhe Ermir Rama nga Lipjani po dëshmojnë se talenti dhe përkushtimi ndaj artit mund të shfaqen që në moshë të vogël. Vetëm 11 vjeç, ata janë tashmë autorë të dy librave dhe kanë realizuar edhe shtatë këngë autoriale.
Libri i tyre i dytë është promovuar para rreth një muaji, duke shënuar një tjetër sukses në rrugëtimin e tyre krijues, ndërsa promovimi i librit të parë ishte organizuar tre vjet më parë.
Përveç letërsisë, Ermira dhe Ermiri janë të angazhuar edhe në muzikë, ku kanë krijuar dhe interpretuar këngët e tyre autoriale, duke dëshmuar një talent të veçantë në dy fusha artistike.
Suksesi i tyre në një moshë kaq të re përbën një shembull frymëzues për bashkëmoshatarët, duke treguar se pasioni, puna dhe mbështetja e familjes mund të sjellin arritje të rëndësishme.




Fotot dhe informacionet janë dërguar në redaksi nga nëna e tyre, Shpresa Krasniqi Rama.