Një ndër vendimet më të vështira me të cilët duhet të përballen shumë prindër është vendimi për të çuar fëmijët në çerdhe. Koha më e përshtatshme për të çuar fëmijët në çerdhe nis në moshën 18 muajsh ose 2 vjeç.
Kjo pasi në këtë moshë ndërtohen mekanizmat trunorë, që në të ardhmen do të mundësojnë ose jo zhvillimin gjuhësor, fjalën dhe mendimin në nivele ose jo cilësore. Ajo që prindërit duhet të kuptojnë është se me fëmijët duhet folur që sapo ata lindin në mënyrë ata të mësojnë të njohin fjalët, tonalitetin e zërit dhe mbi të gjitha të njohin dhe emërtojnë emocionet e tyre.
Dhe që ky proces të realizohet në mënyrë sa më cilësore, specialistët rekomandojnë që fëmijët të çohen në kopshte, si vende të specializuara për të nxitur psikën e fëmijës të zhvillohet në mënyrë sa më aktive. Sipas neuroshkencëtarëve, truri i fëmijës deri në moshën 2 vjeç ka periudhën më intensive të zhvillimit, pas kësaj moshe proceset fillojnë dhe reduktohen. Në traditën tonë, në vitin e parë të jetës së fëmijës, të rriturit i preokupon më tepër ushqimi dhe gjumi sesa problemet e zhvillimit të trurit të fëmijës.
Madje kemi edhe shprehje si “është një engjëll, pi gji dhe fle”. Është e rëndësishme që fëmija të rritet në një ambient të pasur me informacion dhe veprime nxitëse, si lojëra me ujë, lojëra me drita ngjyrangjyra, lexime të thjeshta, mësimi i këngëve për fëmijë, si dhe vizatimi që fëmijët e pëlqejnë dhe e përdorin aq shumë. Mbi të gjitha, trajtimi i fëmijës, si njeri dhe jo si një i vogël, është shumë i rëndësishëm. Çerdhet dhe kopshtet i mundësojnë fëmijës kushtet optimale për të mësuar nëpërmjet lojës. Loja është kushti kryesor i të vegjëlve të gjitarëve që të mund të mbijetojnë. Të vegjlit që nuk luajnë nuk arrijnë të zhvillojnë reflekset e duhura, që duhen për të mbijetuar në natyrë.
Loja është fenomen në natyrë. Njeriu e ka zhvilluar këtë veti të natyrës duke e pasuruar dhe vënë në dispozicion të elementit të tij autentik, që është fjala dhe kreativiteti. Në kopsht, fëmija, nëpërmjet dialogut me edukatorët dhe bashkëmoshatarët, fillon të zhvillojë mekanizmat gjuhësorë dhe të organizojë emocionet e tij si dhe, nëpërmjet metodave didaktike, fuqizon inteligjencën. Periudha e fëmijërisë është periudha kur fëmija ndërton “themelet e psikës” së tij. Sa më të kujdesshëm të tregohen të rriturit dhe ta ndihmojnë fëmijën që ta pasurojë inteligjencën dhe botën e tij shpirtërore, aq më të sigurt do ta ketë të ardhmen si i rritur dhe ajo që është më kryesorja, në periudhën e adoleshencës nuk do të jetë aq problematik nëse fëmijëria do të ketë qenë e pasur me informacione e lojëra me të rriturin. Për fat të keq, në mentalitetin tonë është që fëmijët duhet të luajnë vetë, mjafton të kenë lodra sa më shumë. Kjo nuk është e vërtetë.
Fëmija nuk mund të luajë i vetëm. Ai ka nevojë për prezencën e të rriturit që ta nxisë apo ta ndjekë dhe të jetë dëshmitar edhe i asaj që fëmija demonstron nëpërmjet lojës. Ka raste kur fëmija nuk di më të vazhdojë të luajë, prandaj duhet ndërhyrja e të rriturit. Vajtja në kopsht duhet të realizojë pikërisht këtë gjë, që të rriturit profesionistë të ndihmojnë fëmijën të luajë, të shprehë dhe njohë emocionet e rregullat për veten dhe në raport me tjetrin. Gjithashtu të pranojë moshatarin, pra të zhvillojë anën sociale që nëpërmjet tjetrit të njohë kufijtë e vetes dhe etikën e komunikimit.