Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova Baçi, ka reaguar ashpër ndaj një aktiviteti të zhvilluar së fundmi në gjimnazin “Hajdar Dushi”, ku sipas saj janë përfshirë fëmijë në aktivitete me karakter zgjedhor, në prag të zgjedhjeve komunale të 12 tetorit.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka shprehur shqetësimin e saj për faktin që disa individë, të cilët janë pjesë e garës për zgjedhjet lokale, kanë organizuar një aktivitet në emër të Gjimnazit “Hajdar Dushi”, duke përfshirë nxënësit pa autorizimin apo bashkëpunimin e shkollës, shkruan AlbanianEducation.net.
Postimi i saj i plotë:
Të nderuar prindër,
Fëmijët tanë janë e ardhmja jonë, ata duhet të rriten me dashuri, kujdes dhe edukim të shëndetshëm. Ju lutem mos lejoni që fëmijët të përfshihen apo të shfrytëzohen për fushata zgjedhore apo aktivitete politike. Ata nuk duhet të jenë mjet i askujt, por thjesht fëmijë që gëzojnë fëmijërinë e tyre.
Dua të ju informojë që një organizim i sontshëm në emër të Gjimnazit “Hajdar Dushi” nuk është organizim i Gjimnazit.
Është organizim i individëve që janë pjesë të listave partiake por që këto organizime mund t’i shfrytëzojnë për interesat e tyre personale.