Edhe katër ditë kanë mbetur deri në hyrjen në fuqi Ligji i ri i pagave në Kosovë, por asnjëri prej punëtorëve në sektorin publik nuk e di se sa do ta ketë pagën, shkruan Albanian Kids Education.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se vlera monetare e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, por nuk kanë treguar datën e as nuk kanë dhënë detaje se sa mund të jetë ajo.
Dje për këtë çështje ka folur ministri i Financave Hekuran Murati, i cili tha se vlera e koeficientit nuk po mbahet e fshehur por shtoi se është duke u përllogaritur.
Murati këto deklarime i bëri pasi u pyet nga gazetarët në nj konferencë për medie se cili do të jetë koeficienti dhe cilat do të jenë pagat e sektorit publik në fillim të muajit shkurt.
“Koeficienti është duke u përllogaritur, nuk është se po mbahet fshehur”, ka deklaruar ministri duke sqaruar se di bëhet llogaritja.
“Synimi i ligjit të pagave është harmonizimi i koeficienteve, kurse vlera e koeficientit është tërësia e koeficienteve kur përpjesëtohet me shumën e buxhetit për paga”, tha ministri Murati.
Kurse, Rrahman Jasharaj nga SBASHK ka thënë se urojnë që koeficienti të mos jetë nën 120 euro.
“Jemi në pritje, urojmë që [koeficioneti] të mos jetë më i ulët se 120 euro”, ka deklaruar ditë më parë për Radion Evropa e Lirë Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK).
Me këtë vlerë të koeficientit, thotë ai, pagat në sektorin e arsimit do të rriteshin.
Për shembull, mësimdhënësit në arsimin e mesëm të ulët, nivelin e koeficientit e kanë 5.6. Paga e tyre është 530 euro – me vlerën monetare të koeficientit 120 euro, ajo do të rritej në 672 euro.
Ligji, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, nuk e ka përfshirë vlerën e koeficientit, e cila përcakton një tavan deri ku mund të paguhet një punonjës i shtetit.
Si i tillë, Ligji është dekretuar tashmë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare.
Kujtojmë se me ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve sillet nga 2 deri në 18 – më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit. Më i ulëti, ndërkaq, u takon pozitave si: rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues. /Albanian Kids Education/