E martë, 26 Nëntor, 2024

Mirgen Hoxha, shqiptari që la Amerikën dhe sot ofron paga rreth 2500 euro në muaj për shqiptarët

- Advertisement1-

Flet Mirgen Hoxha, sipërmarrës, “Motomtech”

Emigrimi i të rinjve është kthyer në problemin kryesor ekonomik dhe social në vend. Shumë pak zgjedhin të rikthehen, pasi kanë gjetur suksesin në shtetet e tjera.

- Advertisement -

Një prej tyre është edhe Mirgen Hoxha, i cili, pasi u kthye nga emigrimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, themeloi biznesin e tij, “Motomtech”, në fushën e teknologjisë.

Ai pohon se ndonëse gjetja e fuqisë punëtore në vend mbetet sfidë, kompania e tij ofron paga mesatarisht deri në 2500 euro dhe me këtë çmim mund të gjenden njerëzit e duhur për të ndihmuar në projekte komplekse dhe speciale.

Si arritët të në SHBA dhe pse pikërisht në atë vend?

Mbaj mend që pasi mbarova shkollën e mesme u përpoqa të hyja në një universitet këtu në Shqipëri.

Por nuk u pranova në asnjë prej tyre për shkak të rezultateve në gjimnaz. M’u dha një shans nga kisha ime, e cila është pjesë e një kongregacioni besimtarësh që kanë disa universitete në SHBA.

Ky ishte një shans i dytë në një nga këto universitete që i pranojnë të gjithë, dhe unë munda të studioja dhe të dilja me rezultate të shkëlqyera, sa fitova edhe bursën.

- Advertisement -rrrrrrr

Bursat më paguanin shkollën, gjithashtu dhe jetesën. Sigurisht që kur shkova në fillim nuk kisha bursë dhe nuk më paguanin jetesën, kështu që gjatë viteve të shkollës kam bërë punë të ndryshme.

Puna e parë ishte mirëmbajtja e ambienteve të universitetit, pastrimi i dërrasave të zeza, klasave, sallave etj.

Puna e dytë ka qenë asistent mësuesi, mësoja studentët e tjerë, por gjatë verës bëja punë të ndryshme, si në restorante apo çdo gjë tjetër që dilte, sepse ishte e nevojshme për shpenzimet e mia, pasi nuk mund të mbuloheshin me një pagë të pjesshme studenti.

Më vonë, pas diplomimit, arrita të punësohem në një kompani bankare shumë prestigjioze në “Wall Street”.

Aty punova për shumë vite dhe kuptova se doja të bëja një ndryshim në kursin tim të karrierës, nga banka në sipërmarrje. Kjo ishte një nga arsyet kryesore të kthimit në Shqipëri.

Këtu fillova të eksperimentoj me sipërmarrje të ndryshme, ku në disa prej tyre edhe dështova, por e gjeta veten më shumë në fushën e teknologjisë.

Dhe në vitin 2018, pasi kuptova një nevojë të madhe të tregut amerikan, hapa “Motomtech” që sot e kësaj dite ka qindra punonjës.

Duke parë këtë nevojë në tregun amerikan, nisa të hap botëkuptimin tim për të parë sesi Shqipëria mund të përfitojë nga kjo nevojë e bizneseve, me të rinjtë që punojnë në vend.

Cili ishte momenti që ju bëri të mendoni për një pikë kthese në karrierën tuaj dhe ju dha guximin për të ndryshuar gjithçka?

Momenti ndriçues në jetën time erdhi nga një periudhë e gjatë në sistemin bankar, që më dukej sikur nuk kisha asgjë për të ofruar në atë fushë dhe nuk po bëja atë që doja.

Kjo më shtyu shumë për të bërë atë lëvizje të guximshme, që nuk më pëlqen sistemi dhe do bëj atë çfarë dua dhe aty ku dua të jem.

Mendova se sistemi bankar nuk është për mua, por në sistemin sipërmarrës mund të jem vetvetja dhe të krijoj strukturat e mia, në vend që të jem në një mjedis ku jam brenda një kornize.

Si ka qenë mbështetja e familjes suaj, e prindërve kur u larguat, por edhe kur u kthyet në Shqipëri?

Prindërit e mi ishin shumë të kënaqur dhe të lumtur që emigrova në Amerikë, duke e parë si një arritje të madhe për ta. Kur po mendoja të kthehesha, më luteshin të mos kthehesha, më mbushnin mendjen të mos vija këtu.

Në fakt ishte për të ardhur keq, pasi kjo u ndodh të gjithë atyre që duan të kthehen në Shqipëri dhe mungesa e mbështetjes nga familjarët e bëri kthimin të vështirë, por jo të pamundur.

Është për të ardhur keq sepse ka shumë raste të suksesshme të të rinjve që janë kthyer dhe kanë dhënë një kontribut për vendin.

Cili do të ishte plani juaj B nëse nuk do të gjenit sukses në vendin tuaj, a do të ktheheshit në Amerikë?

Që kur u largova nga sistemi bankar e kisha ndarë mendjen se do të vazhdoja rrugëtimin tim në sipërmarrje dhe nuk kisha një plan B.

Plani im ishte të luftoja gjithmonë për të qenë në këtë fushë dhe për të arritur sukses.

Ende mendoj se nuk kam arritur suksesin që dua të kem. Plani im ishte që të përpiqem gjithmonë të kisha sukses në nismat që kisha në mendje.

Nëse një kompani dështon, provoni të dytën që mund të jetë më e suksesshme, dhe kjo është ajo që bëra.

Me kompaninë e parë dështova, me të dytën pata pak sukses, me të tretën pak më shumë dhe tani me të katërtën, “Motomtech”, shumë më tepër. Mendoj se ky ishte dhe do të jetë plani për të pasur më shumë për sukses.

Kthimi në SHBA është vetëm që të tërheqë më shumë klientë këtu, por jo për të jetuar përsëri atje.

Shqipëria ofron një jetë shumë të mirë si për sa i përket një jete të shëndetshme, ashtu edhe potencialit për rritjen e biznesit që ka.

Ka shumë hapësirë për zgjerim dhe rritje jo vetëm në teknologji, por edhe në fusha të ndryshme.

Habitem se sa shumë mallra dhe shërbime importojmë që fare mirë mund të plotësohen nga tregu vendas.

Këtu ka potencial të jashtëzakonshëm për rritje. Shqipëria ofron një marzh fitimi shumë herë më të madh se ekonomitë e maturuara.

Vazhdoj të jem optimist për qëndrimin në Shqipëri.

Sa e kuptojnë të rinjtë potencialin që ofron Shqipëria dhe çfarë mund të arrijnë jo vetëm në fushën e teknologjisë, por edhe në fusha të tjera?

Problemi këtu në Shqipëri nuk janë të rinjtë, por prindërit e të rinjve, të cilët i ngulisin në kokën e tyre idenë për të ikur nga vendi.

E them ndonjëherë në mënyrë qesharake, që këta prindër që lejuan dhe e bënë Shqipërinë kështu, u thonë fëmijëve të tyre të ikin, është një bumerang shumë i shëmtuar.

Them se Shqipëria ka shumë potencial dhe mendoj që, në qoftë se zotëroni njohuritë e duhura, ju mund të arrini paga deri në 4000 – 5000 dollarë.

Sigurisht që do kohë, por jo 10 vjet apo 20 vjet, por po them që në 3-4 vjet kjo gjë mund të arrihet dhe mund të jesh zot në vendin tënd dhe jo diku tjetër.A/T

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Kalendar historik/ Çfarë ka ndodhur më 9 tetor?

Ngjarje të tjera të rëndësishme: 1779 - Në Mançester të Anglisë, nisin trazirat “ludiste”, si...

A duhet të gjeni një profesion që i përshtatet personalitetit tuaj? JA MËNYRA

Po kërkoni punë që është më e kënaqshme dhe përmbushëse për ju? Lërini tiparet...

Zbuloni tiparet e karakterit tuaj në bazë të formës së duarve

Keni dëgjuar ndonjëherë rreth shkencës së leximit të duarve? Epo me sa duket, forma, madhësia,...

Detyrë: Sa është 3+3×3-3+3=?

Sa është: 3+3×3-3+3=? a) 3 b) 6 c) 12 d) 18 https://www.youtube.com/shorts/erpiZkIhvXg?app=desktop