Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për përfituesit e mbështetjes financiare për studentët që janë regjistruar ose vijojnë studimet e nivelit master në top 150 universitetet më prestigjioze në botë sipas listës ‘Times Higher Education’.
Njoftimi i Nagavcit:
Vazhdojmë mbështetjen për të rinjtë tanë që studiojnë në universitetet më prestigjioze në botë.
Me kënaqësi kam nënshkruar vendimin për përfituesit e mbështetjes financiare për studentët që janë regjistruar ose vijojnë studimet e nivelit master në top 150 universitetet më prestigjioze në botë sipas listës ‘Times Higher Education’.
Ky është viti i dytë me radhë që po mbështesim të rinjtë tanë të cilët studiojnë në këto universitete prestigjioze. Sivjet përfitues janë 20 studentë të cilët do të mbështeten me nga 7 mijë euro.
Fokusi ynë është të ndihmojmë zhvillimin e të rejave e të rinjve që studiojnë në fushat prioritare për politikat tona.
Presim që aftësitë dhe njohuritë e fituara, t’i kthejnë edhe në të mirë të arsimit e të Kosovës.
Gjithashtu, të promovojnë vendin e të ndihmojnë rrjetëzimin dhe mentorimin për të rinjë tjerë që duan të studiojnë në këto universitete.
Kjo është vetëm njëra nga mbështetjet financiare që po ofrojmë për të rinjtë sepse përkrahja për ta nuk do të ndalet. Ditët në vijim do të vazhdojmë edhe me bursa tjera.
Për studentët tanë, më shumë përkrahje e më shumë mundësi.
Urime dhe suksese të gjithë përfituesve!