Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se janë marrë dy vendime të rëndësishme në mbledhjen e Qeverisë.
Njoftimi:
Në mesin e shumë vendimeve të votuara sot në mbledhjen e Qeverisë, ishin edhe dy pika të rëndësishme për fushën e arsimit:
📎Projekligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëfinancimin e Bursave të Arsimit të Lartë në Nivelin Master në mes të MAShTI dhe Ambasadës së Francës;
📎 Propozim vendimi i MAShTI për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit–IBCM.
Marrëveshja për Bashkëfinancimin e Bursave ka për qëllim promovimin e lëvizjes së studentëve kosovarë në Francë dhe përforcimin e bashkëpunimit ekzistues në këtë fushë. Marrëveshja është për një periudhë 6 vjeçare dhe do të mbështes 12 studentë të Kosovës për të studiuar në Francë.
Ndërkaq, sa i përket pikës 2, në koordinim me Zyrën e BE-së, Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe përfaqësues të Kolegjit Ndërkombëtar të Mitrovicës, kemi themeluar grupin punues me qëllim të gjetjes së qëndrueshmërisë financiare për këtë institucion.
IBCM shtrihet në dy kampuse, në Mitrovicën e Veriut dhe Mitrovicën e Jugut duke përfshirë komunitete të ndryshme në Kosovë.
Procesi i themelimit dhe të gjitha veprimet tjera drejt funksionalizimit të këtij institucioni, do të udhëhiqen nga këshilli iniciues që do të themelohet nga MAShTI.