Të gjithë nxënësit që i nënshtrohen sistemit arsimor në Kosovë, nga klasa 1-9 do të subvencionohen për blerje të librave.
Aplikimi pritet të hapet në mes datave 1 gusht dhe 5 gusht 2025. Kështu ka konfirmuar Taulant Kelmendi, zëvendësministri i Arsimit.
Në një intervistë për Kallxo Përnime, zëvendësministri Kelmendi ka dhënë detaje rreth procesit. Ai ka thënë se telashet e dy viteve paraprake i kanë adresuar dhe këtë vit nuk presin vonesa në subvencionim dhe blerje të librave.
“Kritikat i kemi analizuar, si cdo ndryshim i praktikave përcjellët me vështirësi. Ne kemi informuar të gjithë prindërit dhe nxënësit, që ne i subvencionojmë tesktet shkollore drejtpërdrejtë për prindërit, pra të gjithë ata që aplikojnë përmes “E-Kosovës”. Përvec teksteve shkollore, ne kemi vendosur që t’i subvencionojmë me një shumë të caktuar edhe blerjen e materialeve tjera shkollore” – ka thënë zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi.
“Do mbështetet secili nxënës që i nënshtrohet sistemit arsimor në Republikën e Kosovës. Në vitin 2023-2024 kemi vendos që t’ mbështesim me 80 euro secilin nxënës prej klasës 6-9 dhe me nga 30 euro 1-5” – thotë Kelmendi.
Ai ka thënë se shuma për secilin aplikat për këtë vit nuk është caktuar ende.
“Vitin e kaluar janë mbështetur me nga 80 euro të gjithë nxënësit e klasave 1-5 dhe nga 110 euro nga klasa e 6-9. Tani obligohen nxënësit që t’i kthejnë librat e për këtë vit ende nuk kemi vendosur sa do të jetë shuma” – thotë ai.
Sipas Kelmendit, këtë vit nuk do të ketë vonesa në ndarje të subvencioneve dhe së shpejti pritet të hapet edhe thirrja në formë elektronike.
“Shpresojmë nga 1 gushti i këtij viti të jetë gati platforma të aplikoj secili prind që të përfitoj. Jemi të sigurt që më 1 shtator secili nxënës të ketë librat para bankës së tyre. Mendojmë që kjo është forma më e mirë” – deklaroi ai.
“Jemi në dijeni që ka pasur vonesa, por vonesa ka pasur edhe në të kaluarën, pretendojmë që këtë vit ta bëjmë edhe më herët thirrjen që mos të ketë vonesa” – vlerësoi zv.ministri i Arsimit.
Zyra Kombëtare e Auditorit për vitin 2024 gjeti disa parregullsi në ndarje të subvencioneve për nxënësit nga klasa 1-9.
Sipas ZKA-së, 154 përfitues në shumë prej 14 mijë e 150 euro ishin jashtë vendit por të njëjtit morën subvencione nga shteti për blerje të librave.
ZKA gjeti po ashtu se 208 përfitues ishin të nivelit parafillor e të njëjtit përfituan nga subvencionimi.