Me një fletushkë u pritën nxënësit e klasës së parë nga mësimdhënësja e tyre në një shkollë në Kosovë, kur filloi viti i ri shkollor. Edhe pse fletushka përmban gjithsej dy fjali, gabimet nuk mungojnë.
Me qëllimin për ta rritur cilësinë në arsim, në Ministrinë e Arsimit, u patën zotuan se procesi i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve do të fillojë sivjet. Por, kjo nuk ka ndodhur dhe prej pesë muajsh kanë refuzuar në këtë institucion t’i japin përgjigje pyetjeve të KOHËS përkitazi me procesin.
Në Këshillin Rinor Kosovar, ku bën pjesë edhe Këshilli i Nxënësve, thanë se performanca e mësimdhënësve në sytë e nxënësve lë për të dëshiruar.
“Çdo person, në këtë rast mësimdhënës apo mësimdhënëse, i cili nuk i përmbush kriteret ose kushtet, apo nuk e jep maksimumin për t’i ofruar të gjitha aftësitë që i ka në orën mësimore, në mënyrë që qëllimi për ngritjen e cilësisë së arsimit të arrihet dhe nxënësit ta marrin informatën e duhur, ata sigurisht që duhet të largohen nga procesi i sistemit edukativo-arsimor”, tha Ditjon Fetahu, drejtor në Këshillin Rinor Kosovar.
Por, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, thotë se qëllimi i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve duhet të jetë motivimi, e jo ndëshkimi.
“Ajo çfarë është e rëndësishme është që ky vlerësim i performancës të jetë më shumë përkrahës sesa ndëshkues për mësimdhënësit, pra jo mësimdhënës të shqetësuar nga një vlerësim i performancës, por mësimdhënës nxitës dhe shumë kureshtar për komente e sugjerime nga komuniteti i mësimdhënësve si përkrahje për ta gjatë procesit të vlerësimit që do të ndodhë”, tha Qehaja, drejtor në institutin “EdGuard”.
Megjithëkëtë, Qehaja thotë se përjashtimi duhet të merret në konsideratë në rastet ekstreme.
“Për ata mësimdhënës të cilët përmirësimi është i pamundur pa dyshim që duhet të ekzistojnë mekanizma që na garantojnë që të njëjtët nuk do të bëhen barrë dhe dëm i procesit mësimor”, tha Qehaja.
Në vitin 2018 ka nisur për herë të parë vlerësimi i performancës së mësimdhënësve, por në mungesë të inspektorëve, vetëm rreth 400 nga mbi 22 mijë mësimdhënës janë vlerësuar. /KOHA/