Ministria e Arsimit, i ka ftuar gjithë mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit që nga e hëna e pesë shtatorit t’i kthehen punës, duke filluar vitin e ri shkollor.
Në njoftimin e MASHTI-t thuhet se humbja e mësimit është cënim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme.
“Duke e marrë me seriozitet obligimin tonë për realizimin e plotë të së drejtës për arsim, por edhe përmirësimin e kushteve dhe kompensimin e mesimdhënësve, kërkojmë nga të gjitha palët e përfshira, që të rishikojnë dhe balancojnë interesat dhe t’i kthehen që nesër procesit mësimor”.
Në kushte të tilla, sipas MASHTI-t pezullimi i mëtutjeshëm i procesit mësimor paraqet shqetësim serioz dhe veprim me pasoja afatgjate për nxënësit e të gjitha grupmoshave.
“Ministri e Arsimit kemi indikacione se individë të caktuar nga hierarkitë politike apo të qeverisjes lokale, janë duke ushtruar presion të fuqishëm tek mësimdhënësit dhe menaxhmenti i shkollave për të mos e filluar puna”, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.
Përmes kësaj komunikate për media, MASHTI ka kërkuar që të mos ndërhyhet në vendimin e mësuesve, ngase sipas këtij dikasteri e drejta për të qenë në grevë, ose për të punuar, duhet t’i garantohet secilit.
“Për më shumë, ky presion është edhe i dënueshëm sipas legjislacionit në fuqi. E drejta për shkollim është e garantuar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar, andaj, konform përgjegjësive, secili duhet t’i përmbushë obligimet ligjore që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore. Kjo është në interesin më të mirë të fëmijëve”, vijon njoftimi.
Po ashtu, në këtë njoftim është potencuar edhe ndarja e shtesave prej 50 eurosh në muaj për të gjithë zyrtarët publikë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për inflacionin e lartë të shkaktuar nga faktorë që janë jashtë ndikimit tonë, tashmë ka ndarë një shtesë prej 50 eurosh në muaj për të gjithë zyrtarët publikë dhe besojmë se kjo është në kufijtë e mundësive aktuale në Republikën tonë”.
Ndërkohë, edhe kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe kryetarin e Shtimës, Qemajl Aliu, kanë bërë thirrje për ndalimin e grevës dhe nisjen e vitit të ri shkollor, i cili ishte paraparë të fillojë më një shtator.
Katër kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë kërkuar nga mësimdhënësit që të ndalojnë grevën dhe të fillojnë procesin mësimor.
Ata, në një konferencë të përbashkët për media, kanë bërë apel te prindërit që t’i dërgojnë fëmijët në shkolla.
“Sot bashkë me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu, në konferencë për media kemi paraqitur shqetësimet tona lidhur me mosfillimin e vitit të ri shkollor në nivel vendi”, thuhet në njoftim.
“Nga kjo konferencë ne ju bëmë thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla dhe apeluam tek mësimdhënësit që të jenë pjesë e procesit mësimor duke e ndalur grevën”, vijon njoftimi.
Sipas njoftimit thuhet se Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur në diskutim publik Ligjin për Paga, “ku mësimdhënësit trajtohen me paga të dinjitetshme si dhe është përkujdesur me Pakon e re mbështetëse në ndihmë të qytetarëve karrshi inflacionit”.
Ndryshe, të shtunën e tre shtatorit, përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), janë takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Edhe pas këtij takimi, SBASHK-u nuk ka ndryshuar vendimin në lidhje me mbajtjen e grevës në arsim.
“E vlerësoj shumë angazhimin e presidentes, por në situatën që jemi, fatkeqësisht greva në institucionet arsimore do të vazhdojë deri në miratimin e kërkesave tona”.
Kështu, ka deklaruar kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj mbas takimit me presidenten Osmani.
Ai ka thënë se edhe presidentes i janë paraqitur kërkesat e tyre, dhe për të ato kanë qenë legjitime, por sipas tij, problemi është mosdialogu me Qeverinë e Kosovës.
Ndërsa për pakon e re nga Qeveria, Jasharaj ka thënë se nuk është realizim i kërkesave të tyre.
Sipas tij, hapi i parë i zgjidhjes është 100 euro çdo muaj për të gjithë shërbyesit publik.