Komisioni i krijuar me vendim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës do të rishqyrtojë përmbajtjen e librit të historisë për klasën e 6-të, pasi ministria ka marrë ankesa se disa të dhëna dhe informacione të publikuara në tekst nuk përputhen me realitetin shkencor.
“Komisioni, brenda një afati ligjor prej 10 ditësh, ka detyrimin t’i paraqesë ministrit propozimin për tërheqjen e librit shkollor, nëse anëtarët deklarojnë se ankesat kanë baza. Në varësi të vëllimit të materialit që duhet të ripunohet, do të merret një vendim për korrigjimin e atij ekzistues ose përpunim krejtësisht të ri të librit për lëndën përkatëse”, kumtojnë nga Ministria e Arsimit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe institucionet njoftojnë se bashkë me tjera kompetente do të vazhdojnë të punojnë në përmirësimin e përmbajtjes së librave shkollore që përdoren në arsimin fillor dhe të mesëm dhe në të gjithë këtë proces do të jetë i përfshirë edhe publiku, gjegjësisht qytetarët që kanë mundësi të dërgojnë komente, sugjerime dhe vërejtje për librat shkollorë në adresën elektronike [email protected].
Komisioni i Përbashkët Maqedonas – Bullgar për Çështje Historike dhe Arsimore në gusht të këtij viti miratoi rekomandime të cilat kanë të bëjnë me korrigjimin e librave të historisë për klasën e 6-të në Maqedoninë e Veriut dhe të klasës së 5-të në Bullgari, si dhe rekomandime për nderim të përbashkët të personaliteteve nga mesjeta – Shën Cirili dhe Metodi, Shën Klimenti, Shën Naumi dhe Mbreti Samoil.
Portalb.mk disa herë e ka trajtuar çështjen e teksteve shkollore me përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve.
Pas disa shkrimeve të Portalb.mk në shkurt të vitit 2021, kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev, deklaroi se përmbajtja fyese ndaj shqiptarëve në librin “Gjeografia e Maqedonisë” do të hiqet.