Shkolla fillore “Emin Duraku” në Prishtinë ka shënuar vitin e pestë të bashkëpunimit me organizatën gjermane ADRA Kosovo, një partneritet që ka tejkaluar kufijtë e aktiviteteve shkollore duke u shndërruar në një model të solidaritetit dhe bashkëpunimit institucional në nivel vendi.
Iniciativa, e sjellë fillimisht nga drejtori i shkollës, Visar Osmani, është zgjeruar vit pas viti falë angazhimit të tij personal dhe rrjetit të gjerë të bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë. Projekti synon mbështetjen e fëmijëve dhe komuniteteve në nevojë, duke u bërë pjesë e pandarë e aktiviteteve të fundvitit në këtë institucion arsimor.
Në kuadër të programit, nxënësit e shkollës kanë pranuar pako festive, një traditë tashmë e konsoliduar, ndërsa ndihmat nuk janë kufizuar vetëm për komunitetin e shkollës. Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit, pako të shumta po shpërndahen në komuna të ndryshme të Kosovës, si dhe në institucione të rëndësishme sociale, përfshirë spitale, qendra të mbështetjes sociale dhe organizata që ofrojnë ndihmë për familjet në vështirësi.
Drejtori i shkollës, Visar Osmani, u shpreh se ky projekt përfaqëson më shumë se një aktivitet festash: “Kjo nismë është rezultat i punës së palodhur dhe besimit të krijuar ndër vite. Nuk është e lehtë të ruash miqësi, të sjellësh projekte ndërkombëtare dhe të shtrish ndikimin e një shkolle në tërë komunat e Kosovës, por ne po e bëjmë me përkushtim dhe seriozitet.”
Një falënderim i veçantë i është drejtuar edhe drejtorit të ADRA Kosovo, Milan Bogojević, i cilësuar si mik i shkollës dhe partner kyç në zbatimin e projekteve që sjellin ndikim real në komunitet.
Projekti i përbashkët “Emin Duraku” – ADRA Kosovo vazhdon të konsiderohet si një shembull i mirë i bashkëpunimit ndërmjet arsimit dhe sektorit humanitar, duke dëshmuar se iniciativat e qëndrueshme mund të krijojnë ndryshime domethënëse përtej hapësirës shkollore.