E hënë, 25 Nëntor, 2024

Mësuesja Violeta Kuqi mesazh kolegëve: E vendosni vetë nëse do jeni një model i mirë ose i keq!

- Advertisement1-

“Pavarësisht çdo vështirësie mësuesi i përkushtuar dhe me pasion arrin të realizojë misionin e tij fisnik”- kështu e ka përkufizuar mësuese Violeta Kuqi, rolin e një mësuesi në shoqërinë e sotme.

Ajo punon me përkushtim si mësuese e klasave fillore në shkollën “Sul Harri” në Elbasan. Tek ajo spikat veçanërisht dashuria për të vegjlit. Dëshiron që me çdo kusht të jetë shembulli më i mirë për ta.

- Advertisement -

“Unë jam pasqyrë e nxënësve të mi, nuk dua të gaboj në asgjë që bëjë”- tha ajo pas disa tentativave të mija, të nxituara, për të komunikuar në telefon gjatë orëve kur jepte mësim! Me të drejtë ata prindër që e duan një mësuese të tillë për fëmijët e tyre!

Po cila është mësuese Violeta? Ju ftojmë të lexoni intervistën që ne kemi realizuar me të gjatë një pasditeje dhjetori!

Violeta, ju në “Portalin Shkollor” keni spikatur shpesh herë për punët tuaja cilësore që ne i kemi publikuar, edhe pse ju kërkohen në forma të reja kurrikulare tashmë. Realisht më ka bërë përshtypje gjithë energjia që transmetoni, qoftë edhe duke mos ju parë drejtpërdrejtë. Madje disa prindër na kanë shkruar se janë tepër të kënaqur me punën që ju bëni me fëmijët e tyre. Dhe ja tek jemi! Ju falënderoj për kohën që do të na kushtoni për këtë intervistë! Ne duam të dimë më tepër për ju! Sa vite punë keni në këtë profesion dhe në cilat klasa dhe shkolla keni dhënë mësim?

Përshëndetje, unë jam mësuese prej 32 vjetësh. 9 vitet e para të punës kam qenë mësuese në shkollën 8-vjeçare Gostimë. Nga viti 1996 deri në 2009 kam qenë mësuese në shkollën 9-vjeçare “Qamil Guranjaku”. Nga 2010 dhe në vazhdim jam mësuese në shkollën 9-vjeçare “Sulë Harri” dhe jap mësim në klasën e IV.

Ka qenë zgjedhja juaj apo e diktuar? Do të donit më mirë të kishit ushtruar ndonjë profesion tjetër?

Ky profesion ka qenë zgjedhja ime që në fëmijëri, pasi edhe në lojërat e ndryshme që zhvillonim në fëmijëri, unë luaja rolin e mësueses. Jo, kurrë nuk e zëvendësoj këtë profesion me asnjë profesion tjetër. Unë e dua punën që bëj, e kam pasion!

- Advertisement -rrrrrrr

Pra ju po thoni se dashuria dhe pasioni për punën që keni ushtruar gjithë këto vite, kanë qenë çelësi i suksesit, apo e thënë ndryshe e të shkuarit me qejf në punë?

Po, tipari im kryesor si mësuese është pasioni për punën dhe kjo në një farë mënyre vazhdon të më bëjë që ta dua shumë këtë profesion. Mund të duket çudi, por unë shkoj me dëshirë në punë edhe tani pas kaq shumë vitesh.

Cila ka qenë përvoja më e vështirë në mësimdhënie dhe pse?

Përvoja më e vështirë gjatë gjithë periudhës time si mësuese ka qenë në vitet e para të punës, kur unë jam përballur me mungesën e dashamirësisë të një kontrollori që edhe për kundër përgatitjes time e pa atë orë me syze të errëta. Kjo ishte një goditje shumë e rëndë për mua. Edhe sot nuk kam arritur ta kuptoj një qëndrim të tillë. Por ishte dashamirësia e stafit pedagogjik të shkollës që duke iu kundërvënë kontrollorit me fakte analizuan orën e mësimit duke e quajtur atë një orë të suksesshme. Këtë ndodhi e kujtoj si një ëndërr të keqe që i përket të kaluarës së largët.

Po përvoja më e bukur?

Gjatë gjithë këtyre viteve si mësuese kam pasur shumë përvoja të bukura saqë nuk mund të veçoj asnjë.

Sa ju kanë penguar kushtet fizike dhe largësia për të kryer detyrën? Na flisni pak për vështirësitë e mësimdhënies në fshat.

Unë kam punuar 9 vjet në fshat në një kohë kur transporti ishte i vështirë. Udhëtonim me mjete të rastit dhe shpesh udhëtonim edhe në këmbë, pasi ishte autobusi i punëtorëve të hidrocentralit të Banjës. Kjo ishte vështirësia e vetme.

Po me menaxhimin e kohën mes punës dhe familjes si ja keni dal? Një zonjë shtëpie ka më tepër ngarkesa, dihet!

Vërtetë është e vështirë menaxhimi i kohës së mësimit me familjen, por unë mund ta quaj veten me fat se duke jetuar me prindërit e burrit nuk e kam ndjer fare pengesën e angazhimeve familjare. Detyra ime e vetme ishte mësimdhënia. Ata mu bënë mbështetës të dy fëmijëve të mi, pasi iknim qysh në 6 të mëngjesit dhe ktheheshim në 4 pas dite.

Sipas teje, ku ndryshon mësimdhënia e sotme nga ajo e para viteve 1990?

Përveç kurrikulave mendoj se ka ndryshuar edhe roli i mësuesit në orën e mësimit. Në qoftë se para viteve 90 mësuesi ishte në qendër të procesit mësimor, me të drejtë tani në qendër të orës së mësimit është nxënësi.

Po nxënësit tuaj të sotëm si i shihni: sa ngjajnë dhe sa ndryshojnë ata me nxënësit e para 90’?

Pa dyshim që ka ndryshime. Teknologjia e informacionit dhe e komunikimit ka bërë punën e vet. Tani nxënësit janë shumë më të informuar. Po kjo nuk do të thotë se nxënësit e para viteve 90 ishin në nivele më të ulëta se sa këta të sotmit. Dashuria për dijen ishte shumë e madhe. Edhe përkundër vështirësive për gjetjen e informacionit të duhur, libri për ta ishte si një bibël a kuran. Ata e donin shumë librin dhe e çmonin si mikun më të mirë. E kam të vështirë ti përgjigjem kësaj pyetje, por megjithatë do përpiqem. Në kohën e sotme nxënësit e mi janë shumë bashkëpunues dhe shumë detyra i kryejnë në grup. Gjë që nuk vihej re shumë tek nxënësit para viteve 90. Nxënësit e sotëm janë më të hapur dhe më të lirshëm për të shprehur mendimet e tyre.

Foto: Violeta Kuqi me nxënësit e saj pas mbylljes së një projekti mësimor

A i mbani mend nxënësit tuaj të të kaluarës? Sa prej tyre dhe pse pikërisht ata?

Me thënë të vërtetën jo të gjithë, por disa prej tyre po. Ata më të spikaturit. Dhe jo domosdoshmërish më të mirët në mësime. Shumë prej tyre më shkruajnë herë pas here duke më dhënë një kënaqësi shumë të madhe. Jo rrallëherë jam ndier krenare pasi disa nga nxënësit e mi janë bërë të suksesshëm.

A keni takuar ndonjë nga nxënësit tuaj të rritur? Çfarë ndjen një mësues në të tillë rast?

Sigurisht, kam takuar edhe nxënës pas shumë vitesh. Është një ndjenjë kënaqësie shumë e veçantë dhe vështirë për ta treguar.

Sipas tyre si ka qenë Violeta Kuqi si mësuese? Po sipas jush, sa e keni realizuar këtë profesion dhe a do të ndryshonit ndonjë gjë në metodikën tuaj?

Natyrisht për ata unë jam mësuesja e tyre e parë, që me durim, përkushtim dhe shumë dashuri u mësoi atyre hapat e parë të dijes. Tek unë ata me siguri kanë parë njeriun që e do punën, njeriu që nuk lodhet kurrë dhe nuk përkulet përpara vështirësive. Tek unë besoj se ata kanë modelin se çdo gjë e mirë në këtë jetë arrihet vetëm me punën e ndershme.

Cila është gjëja më e bukur në profesionin tuaj? Pse duhet dikush të bëhet mësues?

Mua profesioni i mësuesit më duket profesioni më i bukur në botë. A ka gjë më të bukur se sa të punosh me fëmijët dhe për fëmijët! Është një profesion i bekuar.

Si e vlerësoni gjendjen e arsimit në vend sot? A po i jepet rëndësia e duhur?

Arsimi sot ka probleme. Ai është pjesë e shoqërisë, është pjesë integrale e saj. Përderisa shoqëria jonë ballafaqohet me sfida dhe problematika, shpesh shqetësuese, edhe arsimi nuk bën përjashtim. Sidoqoftë, pikërisht në situata të vështira del më në pa edhe roli i mësuesit. Edhe përkundër mangësive jo të vogla materiale mësuesi i përkushtuar dhe me pasion arrin të realizojë misionin e tij fisnik. Ai arrin të përçojë tek nxënësit jo vetëm njohuri të qëndrueshme, por edhe shumë dashuri tek ata.

Dhe në fund, një mesazh mbi “Një mësues për t’u dashur”, cila është këshilla që doni të jepni?

“Të dashur mësues dhe mësuese: Ju jeni modeli i parë për t’u ndjekur nga breza e breza nxënësish. Përpiquni pa u lodhur t’u transmetoni nxënësve tuaj njohuri shkencore, por bëjeni këtë me profesionalizëm, sa më thjeshtë e kuptueshëm. Por kujdes. Transmetoni qytetari dhe dashuri tek nxënësit tuaj. Kushtojuni rëndësi edhe mënyrës se si flitni, si qëndroni në klasë e veçanërisht sjelljes tuaj. Mos harroni nxënësit tuaj janë duke ju vëzhguar. Asgjë nuk ju shpëton syrit dhe veshit të tyre. Ju do të jeni ose një model i mirë për tu ndjekur, ose një model i keq”.  /Portali Shkollor Albas/

 

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

PREMTIMI: Rritje e pagave 200 euro që në javë të parë, mësim tërëditor e 80 çerdhe

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka shpalosur sot në Vushtrri, programin e kësaj partie...

Në prag të 28 Nëntorit, LIRI iu dërgon dhurata nxënësve të klasës së parë në shkollën “Rasim Kiçina” në Drenas

Kompania LIRI nga Prizreni edhe në muajin e Nëntorit, që njihet si muaji i...

Pensionohet profesori Enver Veliu nga Rahoveci

Është pensionuar profesori Enver Veliu nga Rahoveci, shkruan AlbanianEducation.net. Njoftimi i DKA në Rahovec: Sot, 25...

Pensionohet mësuesja Haxhere Gërguri-Berisha nga Fushë Kosova

Është pensionuar mësuesja Haxhere Gërguri-Berisha, nga shkolla "Zejnel Salihu" në Bardh të Madh, shkruan...