Për festat e nëntorit, në shkollën “Daut Bogujevci” u zhvilluan aktivitete kulturore dhe edukative me rastin e shënimit të katër ngjarjeve historike që përbëjnë gurthemelin e identitetit kombëtar shqiptar.
Mësuesja Sadete Qorri Avdili, theksoi rëndësinë që muaji nëntor ka në ndërgjegjen historike të shqiptarëve.
Sipas saj, ky muaj mishëron sakrificën, lirinë dhe rrugëtimin e kombit drejt pavarësisë dhe dinjitetit.

Gjatë aktivitetit, nxënësit e klasës III-2 prezantuan punime artistike, kënduan këngë patriotike dhe krijuan vargje kushtuar festave të nëntorit, duke sjellë një atmosferë të gjallë dhe emocionuese.
Katër datat e shënuara që u nderuan në këtë aktivitet janë:
28 Nëntori 1443 – Ngritja e flamurit të Skënderbeut në Krujë;
28 Nëntori 1912 – Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë;
28 Nëntori 1955 – Dita e lindjes së Komandantit Adem Jashari;
28 Nëntori 1997 – Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë të Drenicës.
Aktiviteti synonte t’i ndërgjegjësojë nxënësit për rëndësinë e këtyre ngjarjeve dhe t’i afrojë ata më shumë me historinë dhe vlerat kombëtare. Sipas stafit pedagogjik, edukimi patriotik mbetet një ndër shtyllat kryesore të formimit të brezave të rinj.
*Fotot janë publikuar me leje të prindërve – marrë nga mësuesja