Mësuesja që besoi tek talenti i nxënësit të saj: I pagoi një pjesë të udhëtimit drejt SHBA-së, ai fitoi medalje ari

- Advertisement5 -

Nga një qytet i vogël si Cërriku, në një skenë ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Loris Qosja arriti të fitojë medalje të artë në një konkurs ndërkombëtar matematike, mes mbi 300 konkurrentëve nga 30 shtete të botës.

- paragrafi 1 -

Talenti i tij u dallua herët. Në klasën e gjashtë, mësuesja e matematikës, Flutura Hoxholli, pa tek ai një nxënës të jashtëzakonshëm dhe nisi ta përgatiste me programe më të avancuara, duke e përfshirë në olimpiada të ndryshe.

- Advertisement - M1

“Më thoshte Ajnshtajni i vogël, gjeniu im… dhe më dha matematikë të klasave më të larta. Aty u pikasa si talent, kur filluam të merrnim pjesë në olimpiada të ndryshme”, tha Loris Qosja.

Për dy vite me radhë, mësuesja punoi me të pa asnjë shpërblim financiar. Vetëm me dëshirën për ta çuar nxënësin e saj sa më lart.

“Mësuesi duhet të zbulojë talentin, ta motivojë dhe ta zhvillojë, jo të gjithë e bëjnë. Unë kam vetëm një djalë, por atë që s’e arrita me djalin tim, e kam arritur me Lorisin”, tha Flutura Hoxholli, mësuese e matematikës për EuronewsAlbania.

- Advertisement - m2

Rruga drejt Amerikës nuk ishte aspak e lehtë. Tarifat e pjesëmarrjes arritën deri në 8 mijë euro, një shumë e papërballueshme për familjen e tij, pasi të dy prindërit janë të papunë. Megjithatë, ata nuk pranuan që ëndrra e djalit të tyre të ndalej për shkak të vështirësive financiare dhe bënë çdo përpjekje që ai ta përfaqësonte vendin në arenën ndërkombëtare.

“Një pjesë e pagoi Bashkia Cërrik, një pjesë mësuesja dhe pjesa tjetër u pagua nga prindërit dhe të afërmit”, shtoi Loris.

Mbështetja institucionale ishte e kufizuar, ndërsa një pjesë e shoqërisë reagoi me skepticizëm.

“Disa nga shokët e mi… nuk e mendonin që do merrja këtë famë. Shumica u lumturuan, por disa nuk më flasin. Kur erdha nga Amerika shumica qenë të ftohtë, po e themi që ne nuk e dimë arsyen”, theksoi i riu.

Sot, edhe pse ka siguruar një bursë trevjeçare nga një institucion privat që i mbulon studimet dhe i garanton punësim, Lorisi ka një mesazh të qartë për institucionet. Ëndrrat e tij nuk ndalen, pasi synon të marrë pjesë në olimpiadat e radhës në Azerbajxhan, Rumani dhe Itali. Por pa një mbështetje të qëndrueshme financiare dhe institucionale, këto objektiva rrezikojnë të mbeten të parealizuara.

“Po e përmbledh me një shprehje, një person ka pyetur njeriun më të zgjuar, Ajnshtajnin, a ka jetuar ndonjë njeri më i zgjuar se ty dhe ai iu përgjigj, po kanë jetuar, por nuk kanë pasur mundësi të zbulohen”, përfundoi Loris Qosja.

Në bisedat e tij, shpesh Lorisi dëgjohet të thotë se nuk ka rëndësi se nga vjen, mjafton pasioni dhe përkushtimi. Por pasioni ka nevojë për mbështetje, për një dorë që ta ndihmojë të mos rrëzohet dhe për institucione që ta besojnë. Sepse kur një i ri ngjitet në majë, ai nuk ngre lart vetëm veten, por edhe emrin dhe shpresën e një vendi të tërë.