Mësuesja Mimoza Rexhvelaj: Mos lejoni t’jua zvoglojnë shpirtin, as t’jua shuajnë dritën

- Advertisement5 -

Shkrim nga mësimdhënësja Mimoza Rexhvelaj

- paragrafi 1 -

Në jetën tonë janë disa njerëz që pa e ditur, na e zgjojnë ambicien. Nuk e bëjnë me fjalë të mëdha, as me këshilla të drejtpërdrejta, por e bëjnë me shembullin e tyre, me energjinë e tyre si një vibrim drite, që nuk imponohet, por ndjehet, që të rrethon dhe të shtynë përpara drejtë shtigjeve të reja.

- Advertisement -

Janë njerëz që dinë të dëgjojnë qetë, pa paragjykim. Kanë qartësi mendimi dhe prani të pastër. Pas një bisede me ta, mendja fillon të lëvizë më shpejt se zakonisht.
Synimet zgjerohen. Kufijtë duken të negociueshëm. Në praninë e tyre kupton se je në gjendje të synosh më shumë dhe të mbërrish më larg.

Pastaj është grupi tjetër…

Pjesë e shoqërisë sonë të zakonshme e afërt dhe jo domosdoshmërisht negativë, por shpesh janë të mbuluar me cinizëm të hollë, me dyshim të vazhdueshëm, me atë realizëm që në thelb është lodhje e maskuar me mirësjellje të shtirur.

- Advertisement -

Pas një bisede me ta, mendimet tkurren,fiken. Dëshirat duken naive. Ëndrrat trajtohen si mungesë maturie dhe kjo jo sepse ti nuk je i aftë, por sepse atmosfera e tyre e bën ambicien të duket e tepërt.

Arrijnë deri aty sa të të zvogëlojnë, vetëm që të mos ndihen të vegjël vetë.

Ambicia njerëzore nuk është vetëm çështje vullneti personal, por ushqehet ose thahet nga mjedisi njerëzor.

Fjalët që dëgjon. Heshtjet që duron. Mënyra si reagojnë ndaj ideve të tua, apo si gëzojnë ndaj arritjeve tua.

Të gjitha këto krijojnë terrenin ku ambicia ose rritet, ose tërhiqet ngadalë, pa zhurmë si uji i lumit që del nga shtrati, shkakton dëme dhe kur largohet lë shenja…

Ndaj në këto raste zgjedhja nuk është morale, është strategjike. Nuk ka të bëjë me gjykimin e të tjerëve, por me mbrojtjen e qartësisë tënde. Me të kuptuarit se jo çdo bisedë është e pafajshme dhe jo çdo prani është neutrale.

Një këshillë që jua kam dhënë fëmijëve të mi dhe njerëzve që i kam xhan dhe që i dua fort: ”Mos lejoni t’jua zvoglojnë shpirtin,as t’jua shuajnë dritën!”

Që do të thotë:Kujdesuni kë lejoni t’ju qëndrojë pranë dhe mënyrën si ndikon mbi ju, sepse në shumë raste ambicia është e brishtë kur është ende duke u formuar dhe ti nuk ke pse ta shpenzosh energjinë tua duke ringjallur vazhdimisht atë që të tjerët e shuajnë pa e kuptuar.

Zgjidhni me kujdes kë do të donit të mbanit afër!

Një gjë dihet tashmë….

Njerëzit vampirë energjetikë të shterrin, ndërsa ata plot dritë të rrisin dhe të gjithë ne kemi nevojë për njerëz diellor… 🌞