Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku, ka ngritur shqetësimin për rastin e një mësueseje me mbi 38 vjet përvojë në sistemin arsimor, e cila, sipas tij, është skualifikuar në Portal me arsyetimin se nuk e posedon kualifikimin e duhur.
Përmes një postimi publik, Çifliku bën të ditur se mësuesja ka përfunduar Shkollën Pedagogjike në vitin 1986 dhe studimet bachelor në vitin 2008, megjithatë nuk është vlerësuar si e kualifikuar sipas kritereve aktuale.
Sipas tij, mësuesja i është drejtuar me pyetjen: “A duhet ta filloj masterin tani, edhe pse më kanë mbetur vetëm katër vite deri në pension?”
Çifliku e cilëson këtë situatë si një padrejtësi ndaj mësuesve me përvojë shumëvjeçare, duke vënë në pikëpyetje logjikën e kërkesës që ata të rikthehen në universitet pas gati katër dekadash pune në arsim.
“A ka kuptim që një individ me gati 40 vite përvojë të rikthehet në universitet?”, shtron ai pyetjen, duke shtuar se nuk do të ishte e pamundur që ligjëruesit e programit master të ishin ish-nxënësit e saj.
Në reagimin e tij, Çifliku thekson se rasti nuk është i izoluar, por sipas tij pasqyron një problem më të gjerë që prek një brez të tërë mësuesish, të cilët kanë dhënë kontribut të gjatë në arsim.
Në fund të postimit, ai u bën thirrje qytetarëve dhe opinionit publik të japin mendimin e tyre mbi këtë rast, duke pyetur nëse mësuesja duhet apo jo të ndjekë studimet master në këtë fazë të karrierës së saj.