Babai i një vajze 7-vjeçare, të cilës iu prenë flokët nga mësuesja pa lejen e prindërve, e ka paditur shkollën për këtë veprim dhe kërkon 1 milion dollarë dëmshpërblim.
Në padinë e Jimmy Hoffmeyer-it thuhet se janë shkelur të drejtat kushtetuese të vajzës së tij dhe ka larguar atë nga shkolla.
Në përfundim të hetimeve u theksua se mësuesja kishte thyer politikën e shkollës, por nuk kishte vepruar me paragjykime racore. Megjithatë edhe pse u kritikua nga autoritetet ajo u lejua të mbante punën.
Përveç shkeljes së të drejtave kushtetuese, në padi thuhet se veprimi i mësueses paraqet edhe diskriminim racor, pabarazi etnike dhe nxitje të qëllimshme të stresit e sulmit.
Jimmy Hoffmeyer tha prillin e kaluar se vajza e tij Jurnee ishte kthyer në shtëpi nga shkolla një ditë me pjesën më të madhe të flokëve në njërën anë të kokës të prerë. Një shok klase kishte përdorur gërshërë për të prerë flokët e gjatë kaçurrelë të Jurnee në një autobus të shkollës.
Dy ditë më vonë, Jurnee u kthye nga shkolla në shtëpi me flokët në anën tjetër të kokës së prerë edhe pse ajo ishte dërguar tek një parukier i cili i kishte bërë një prerje asimetrike për t’i bërë gjatësitë e ndryshme më pak të dukshme.
Hoffmeyer tha se ai mendonte se një fëmijë tjetër i kishte prerë flokët sërish vajzës por Jurnee i tha atij se ishte një mësues. “Mësuesja i preu flokët për t’i bërë ato simetrike,” i tha ai AP.