33 vjet në arsim, Vlora Baruti e cila ligjëron për piano në Shkollën e Muzikës në kryeqytetin e Kosovës, u detyrua që t’i hyjë rrugëve ligjore duke angazhuar një avokat.
Pianistja nga Prishtina nuk e mori shpërblimin jubilar dhe kompensimin për ushqim, shtesa këto të cilat parashihen me kontratën kolektive të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) dhe e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjise dhe Inovacionit (MAShT) e cila u nënshkrua në vitin 2017.
Që nga viti 2020, kur edhe është bërë padia në Gjykatë, Baruti nuk e ka të qartë se cfarë realisht po ndodh me lëndën e saj.
Ani pse pjesa më e madhe e kolegëve të kësaj shkolle tashmë i gëzojnë këto shtesa, bashkë me Barutin kanë mbetur edhe katër mësimdhënës të tjerë të cilët po presin verdiktin final.
Sipas mësimdhënëses, avokati i përbashkët i cili zgjodhi lëndët e kolegëve të tjerë por jo edhe të këtyre të fundit, nuk ishte serioz sa duhej në trajtimin e rasteve të tyre.
Baruti rrëfen për Kiksin se si avokati paraprak, Labinot Buzuku, nuk i lajmërohej në telefon dhe nuk e mbante të informuar lidhur me rastin.
Marrë parasysh pakënaqësitë që kishte ndaj tij, ajo u detyrua që të shkëputej nga kolegët dhe të angazhonte një avokat të ri.
Nga informacionet që kishte Vlora Baruti se nëse mësimdhënësi ka gjendje të rënduar shëndetësore, procesi mund të përshpejtohej, ajo u drejtua tek institucionet gjegjëse duke i ofruar të gjitha dëshmitë e nevojshme.
Edhe pas kësaj, ajo thotë se u neglizhua.
Sipas kontratës kolektive të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) dhe e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjise dhe Inovacionit (MAShT) e cila u nënshkrua në vitin 2017, punëtorëve të arsimit iu takojnë paga jubilare dhe kompensime të shujtave ditore të periudhës ndërmjet viteve 2017 dhe 2020. /Klan Kosova