Pedagogia shqiptare Rozeta Biçaku Çekrezi, sot me eksperiencë ndërkombëtare në Kanada, ka realizuar një studim që vazhdon të mbetet i vlefshëm edhe sot. Ai ofron këshilla të dobishme për çdo mësues mbi fuqinë e motivimit dhe ndikimin e tij në mbarëvajtjen e klasës dhe suksesin e nxënësve.
Rozeta Biçaku Çekrezi, e cila prej disa vitesh jeton dhe punon në Vankuver të Kanadasë, e ka ruajtur të paprekur përkushtimin ndaj cilësisë në mësimdhënie dhe formimit të mësuesve. Studimi i saj, zhvilluar me mbi 1000 nxënës të shkollave të mesme në Tiranë, Elbasan dhe Durrës, vlerëson ndikimin e motivimit të mësuesit në tre shtylla themelore të procesit mësimor: zbatimi efektiv i planeve mësimore, njohuritë për lëndën dhe personaliteti i mësuesit.
Çfarë e bën një mësues të vlefshëm sot?
Të dhënat e hulumtimit treguan një lidhje të fortë pozitive midis motivimit të mësuesit dhe:
- Planifikimit dhe realizimit cilësor të mësimit
- Thellësisë së njohurive për përmbajtjen
- Tipareve të personalitetit që ndikojnë në atmosferën e klasës
Në vitin 2025, këto përmasa janë po aq të rëndësishme, fakt, ndoshta edhe më shumë, në një botë ku teknologjia po ndryshon mënyrën se si mësojmë, por roli i mësuesit si nxitës i përfshirjes dhe emocioneve pozitive mbetet i pazëvendësueshëm.
Motivimi si shtytës përtej dijes
Motivimi nuk ka të bëjë vetëm me nota të mira apo respekt ndaj rregullave. Ai është forca që nxjerr përkushtimin nga brenda nxënësit. Mësuesit që dijnë të frymëzojnë, që flasin me pasion dhe që krijojnë një ambient të sigurt psikologjik, janë ata që lënë gjurmë të thella në jetë. Kjo është më shumë sesa një cilësi e dëshirueshme, është një nevojë reale për shkollat moderne.
Mësimdhënia, më shumë se një profesion
Studimi i Rozeta Biçaku Çekrezit ngre pyetjen thelbësore: Si mund ta përgatisim më mirë një mësues për të qenë motivues në klasë? Përgjigjja vjen në formën e vetëreflektimit profesional, zhvillimit të vazhdueshëm dhe vëmendjes ndaj faktorëve emocionalë dhe socialë që ndikojnë në klimën e klasës. Për më tepër, modeli i një mësuesi të përkushtuar dhe të motivuar është vetë shtylla e një shkolle cilësore.
Rozeta Biçaku Çekrezi, nga auditorët e Shqipërisë në universitetet e Vankuverit
Rozeta Biçaku Çekrezi është pedagoge e gjuhës angleze dhe eksperte në fushën e mësimdhënies së gjuhës së huaj dhe menaxhimit të klasës. Aktualisht, ajo është pjesë e stafit akademik në University Canada West në Vankuver, Kanada, ku punon si lektore pranë Fakultetit të Biznesit që nga janari 2022.
Përveç kësaj, prej vitit 2021 është profesoreshë e jashtme në New York Institute of Technology, gjithashtu në Vankuver, duke dhënë lëndë në fushën e komunikimit akademik dhe të menaxhimit ndërkulturor. Gjatë vitit 2019, ajo ka qenë edhe tutore për kurset para-master në ESLi pranë Trinity Western University.
Ndër vite, Rozeta ka dhënë mësim për gati 12 vjet në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe ka qenë pedagoge e gjuhës angleze për qëllime të veçanta në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, duke përgatitur studentë në fusha si mjekësia, biznesi, arkitektura dhe stomatologjia.
Eksperienca e saj ndërkombëtare dhe kontributi në përgatitjen e brezave të rinj të mësuesve dhe profesionistëve e bëjnë zërin e saj një autoritet të besueshëm në fushën e arsimit sot.
Studimin e plotë e gjeni në këtë LINK