Tepricë teknologjike apo staf i tepërt
Një shembull i tillë është vështirë të gjendet në një gjuhë tjetër, (në anglisht “staff over supply” apo “labor surplus”, që në asnjërin rast nuk krahasohet me termin në shqip. A mos do ishte më e rrugës që në politikat arsimore, të dalë dikush që këto kuadro “tepër” i sheh si resurse njerëzore, e jo si tepricë sistemi?
Mësuesit nuk janë dhe nuk mund të jenë tepricë teknologjike, edhe nëse janë staf i tepërt.
Se arsimi në Kosovë ka prodhuar kuadro të dobëta, kjo s’do mend. Por, për këtë s’është faji veç i mësimdhënësve. Është folur sa e sa herë për mungesë kushtesh e probleme të tjera të ngjashme, por, përkundër kësaj, është edhe një fakt tjetër.
Pavarësisht kushteve të punës, ka nxënës të shkollës fillore që kanë shënuar rezultate tejet të mira. Që mund të sfidojnë në pikëpamje gjuhësore madje edhe profesionistë. Së paku në gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze. E për këtë arritje nuk kam dëgjuar ndonjëherë të flasë dikush, edhe pse nuk është diçka që nuk dihet. Megjithatë, njerëz që nuk e kuptojnë atë që lexojnë, ose që nuk dinë ta interpretojnë, ose që nuk dinë ta shkruajnë pa gabime, i gjen pothuajse kudo, në secilën shoqëri. E natyrshme se jo të gjithë mund të jenë të mirë, të shkëlqyeshëm apo të suksesshëm…
Veç kësaj, mbase edhe më seriozisht do duhej të paraqitej fakti se kuadro të dobëta, shpesh janë akomoduar në pozita udhëheqëse. Politika shpesh në pozita drejtuese ka vendosur njerëz që nuk ia kanë dalë të merren me problemin. Duke mos parë tej politikës apo grupit të tyre të ngushtë të interesit.
Prandaj kuadrot që kanë qenë tepër, në këtë rast në arsim, nuk kanë arritur t’i organizojnë apo riorganizojnë. Në një funksionim normal të sistemit, kuadri i mjftueshëm, do duhej të kishte qenë përparësi, jo e kundërta. Por meqë nuk kanë ditur t’i menagjojnë dhe kanë dështuar bashkë me ta, i kanë parë si pengesë.
Në gjithë këtë amulli, dikush është kujtuar që për çdo mossukses në shkollë e gjetiu, fajin t’ia hedhin mësuesit. Madje, lidhur me këtë, kanë shpikur edhe terma pezhorativë, të tillë si tepricë teknologjike.
Një shembull i tillë është e vështirë të gjendet në një gjuhë tjetër, (në anglisht “staff over supply” apo “labor surplus”, që në asnjërin rast nuk krahasohet me termin në shqip. Si përfundim, a mos do ishte më e rrugës që në politikat arsimore, të dalë dikush që këto kuadro “tepër” i sheh si resurse njerëzore, e jo si tepricë sistemi? Së paku të kishin bërë përpjekje trajnimi apo rikualifikimi të tyre.
Mbase për këtë, më së miri flet ai proverbi i njohur, se nuk mund të zgjidhet një problem me të njëjtën mendësi me të cilën është krijuar.
- Autor S.A.