Një histori e vërtetë dhe prekëse nga Senada Demushi për dashurinë e një mësueseje ndaj një fëmije me aftësi ndryshe. Takimi me Elin ndryshon gjithçka. Një tregim që tregon se lidhjet e zemrës nuk i fshin koha. Mesazh i fortë për pranim dhe dashuri.
Unë, për të qenë e sinqertë, nuk kam dashur ndonjëherë të bëhem mësuese! Në fillim më dukej pak e vështirë, sidomos kur je mësuese zëvendësuese! Pastaj, i shikoja nxënësit që prisnin çfarë do të thosha unë, pikërisht unë! Ishin sytë e tyre dhe dashuria që mora nga kontakti me ta që më bënë të reflektoj e të them me vete:
Unë nuk kisha qenë ndonjë studente e dobët që të kisha frikë, përkundrazi, kisha plot për të dhënë dhe duhej patjetër që gjithë dijen time ta përcillja tek nxënësit, duke kujtuar prindin që t’i beson këta fëmijë! Duke ditur emrin e madh që mban mësuesi, duke ditur që ky profesion është edhe mision! E unë nuk jam mësuar t’i bëj gjërat keq…E motivova veten dhe punoja fort me fëmijët, por nuk e dija se aty do lidhesha aq fort emocionalisht me ta!
Në gjimnazin “Dodë Kaçaj”, Bajzë, në pak muaj u njoha me të rinj të mrekullueshëm… Mjaftoi një ese të na bashkonte sikur të ishim njohur prej vitesh. Ata shkruan secili ndjesitë e veta, ato brenga që nuk i thuhen kollaj askujt! Nuk e prisja! Mora një bllok dhe fillova të shkruaja përgjigje, këshilla, për secilin me aq sa dija unë, një 23-vjeçare e papërgatitur për gjithë këtë ngarkesë emocionale!
I kërkova ndihmë nënës time sepse u ndjeva shumë ngushtë!
Të nesërmen e me radhë, e gjithë shkolla më sillnin ese edhe pse unë nuk ua kisha kërkuar! I merrja ato fletë me frikë në duar që më dridheshin dhe lexoja histori gjakmarrjesh, bullizmi, dhune në familje, e deri tek më të lehtat, le të themi…
Aty nisi çdo gjë.
Kuptova sa nevojë kishin t’i lexonte dikush, t’i dëgjonte dikush… dhe kështu kam bërë gjithë jetën time deri më sot! Çdo gëzim a hall i tyre ka qenë dhe është edhe imi!
Aty kuptova rëndësinë e shprehjes:
“Mësuesi është prind i dytë!”
Nuk isha kurioze, por hyja deri aty ku ata kishin nevojë për një këshillë! U kam premtuar se dera ime kurrë nuk do të jetë e mbyllur për ta, edhe kur të rriten, dhe vazhdoj ta mbaj premtimin edhe sot!
Më çuan një ditë, si mësuese provizore, në kopsht. Me këmbënguljen e babait u nisa për në punë, në Bajzë të Malësisë së Madhe (nuk doja të shkoja!).
Edukatoret, koleget më pritën shumë mirë, ashtu siç m’i kishte përshkruar babai im, mike të vjetra e të mira të tij.
Që ditën e parë më ra në sy një djalë i vogël 5-vjeçar i cili rrinte vetëm në fund të bankave dhe në këmbë gjithmonë. Nuk fliste dhe as nuk donte t’ia dinte nëse isha apo jo në klasë.
Mësueset më thanë se Eli ishte një fëmijë me aftësi ndryshe, me autizëm, apo diçka e tillë që nuk e kuptoja mirë atë kohë. Por ajo që kuptova menjëherë, ishte fakti se ai donte vëmendje të veçantë.
Iu afrova dhe u mundova t’i tregoja se doja të bëheshim “miq”. Për çudinë time, ai më pranoi me shumë dashuri, shprehur me buzëqeshje e mimika të ëmbla.
Mësueset e tij thonin se ishte një ndryshim i madh për të.
Eli ishte një djalë shumë i bukur, me sytë e mëdhenj në formë bajameje dhe lëkurën e bardhë si qumështi… i veshur e i mbathur si askush, i pastër e i rregullt (e mbante gjyshi me gjyshen, pasi prindërit i kishte të divorcuar dhe mamaja ishte jashtë për të punuar).
Ditën e dytë shkova në punë me gëzim sepse do të takoja Elin.
Do përpiqeshim bashkë për çdo gjë, do mësonim diçka më shumë…
Ai ma vendoste fytyrën mes pëllëmbëve të tij dhe qeshte…
M’i prekte flokët, qerpikët, vetullat, vëthët… duart dhe ndihej mirë!
Më kërkonte të rrinim bashkë, të luanim bashkë, edhe pse nuk fliste dot.
Të shtrihesha pranë tij mbi banka, në dysheme, ku të dëshironte ai.
Ishte mrekulli ndjenja që më bënte të përjetoja ai fëmijë 5-vjeçar.
Erdhi një ditë dhe duhej të largohesha prej aty. Nuk e pata të lehtë. M’u duk sikur do zhgënjeja Elin. E putha, e përqafova dhe iu luta Zotit për të, që të bëhej mirë.
Në shtëpi, tek prindërit, flisja pafund për Elin…
Kaluan vitet, u martova… u bëra edhe nënë.
Bashkëshortit tim i kisha folur për këtë fëmijë. Ndodhi që, në një trajnim në Shkodër, pranë meje ishin mësuese të Shkollës Speciale “3 Dhjetori”. Gjatë pushimit, u kërkova nëse mund të shkoja ndonjë ditë për vizitë, vetëm për qejf, t’i takoja ata fëmijë, dhe më premtuan që do më lajmëronin për një takim.
Aty për aty, më treguan disa foto nga telefoni. I pashë me kërshëri, nga dëshira për të kuptuar më shumë se si punonin me ata fëmijë.
Duke i mirëkuptuar koleget për vështirësitë në punën e tyre të mrekullueshme e të papagueshme…
Kur, për një çast, sytë më bënë xixa-xixa… zemra filloi të më rrihte fort nga emocioni…
Çfarë po më shihnin sytë?!
I drejtohem pa frymë mësueses Albës:
“Alba, si quhet ky fëmijë? Është nga Bajza? Sa vjeç është?”
E njoha menjëherë dashurinë time të vogël!
Ishte ai! Eli i vogël, tani më i rritur!
Kishin kaluar jo pak, por tetë a nëntë vite!
Atë natë nuk më zinte gjumi. Zemra më rrihte fort.
Flisja pafund për të me bashkëshortin tim. Kërkoja foto të tij. Doja ta shikoja pa fund. Ishte fytyra e tij!
Duke folur e ëndërruar për të, më zuri gjumi.
Im shoq vetëm dëgjonte, pa folur, sepse e dinte tashmë se çfarë ndjesie kishte lënë ai fëmijë tek unë.
Sytë-bajame, lëkurë-qumështi i ëmbël, buzëqeshja e tij si dielli… Eli!
Pas pak ditësh gjeta rastin. U ktheva nga puna, mora vajzën time të madhe, Amlën, dhe u nisëm për tek shkolla e tij.
Rrugës, i flisja Amlës për arsyen pse po shkonim. Amla, duke qenë se është vajza ime, u prek aq shumë, sa mezi priste edhe ajo, ashtu si unë, që të takonim Elin. Blemë disa dhurata modeste për gjithë klasën dhe mbërritëm.
Sfida më e madhe për mua dhe për mësuesen Albë ishte reagimi i tij. A do të më mbante mend vallë?!
Hapa derën dhe pyeta:
– Ku është Eli?
Ai më pa i habitur, me sytë e tij dyshues, dhe ngrysi vetullat e bukura si hark.
Mora një karrige, u ula ngadalë pranë tij, pa rënë në sy. Askush nuk fliste. Mësuesja Alba ishte ngrirë pas aparatit të celularit, pa frymë.
As unë nuk isha më pak e emocionuar…
I afrova fytyrën afër së tij, si dikur, dhe e pashë teksa qeshte lehtë. E pyeta:
– Kush jam unë?
– A e di kush jam unë?!
Oh, askush nuk mund ta përshkruajë me fjalë reagimin e tij dhe lotët tanë të gëzimit që na rrodhën në faqe…
Ai m’i vuri duart në faqe, si dikur, dhe më përqafoi fort, duke qeshur i lumtur. Më pas, mori duart e mia dhe i vendosi rreth belit të vet për t’u përqafuar edhe më shumë. Kokën e vendosi në prehrin tim, që ndoshta në atë çast për të ishte njësoj si i nënës së tij, të cilën për momentin e kishte larg…
AI MË NJOHU!
Nuk kishte ndryshuar shumë, përveçse tani ushqehej vetë dhe ishte zgjatur shumë!
Me tipin e tij, ai nuk i afrohej njerëzve, kështu vazhdonte të ishte, sipas mësueseve. Kishte mësuar të ulej dhe të rrinte i qetë, jo vetëm në këmbë.
Sipas tyre, Eli ishte i vetmi që nuk e pëlqente të fotografohej. Por atë ditë, bëmë foto bashkë dhe ai afrohej vetë, i lumtur.
Për mua ishte kënaqësi e dyfishtë… e lëre pastaj shikimi i tij!
Më kanë mbetur në mendje fjalët e mësueses atë ditë:
“Sa ka folur sot me shikimin e tij ky djalë, s’ka folur kush ndonjëherë me fjalë.”
Ky tregim real është një dedikim për Elin, por edhe një mesazh për botën:
T’i duam dhe t’u qëndrojmë pranë këtyre njerëzve, sepse kanë po aq nevojë sa ne për dashuri. Reagimi i tij na bëri të kuptojmë edhe një herë se ata janë si ne, kanë ndjenja të vërteta, por, për fat të keq, nuk dinë si t’i shprehin në mënyrën tonë. Ama nëse përpiqemi, do të shohim se është shumë më e thjeshtë nga sa duket!
Ndoshta arrita të mbjell diçka të mirë edhe në zemrën e vajzës sime.
© Portali Shkollor