Mësuesit janë heronjtë tanë! Ata janë të angazhuar gjatë gjithë ditës që nxënësit e tyre të jenë të suksesshëm.
Vështirësitë e nxënësve bëhen vështirësitë e tyre, qajnë dhe qeshin me nxënësit, klasa bëhet një familje e madhe e mësuesi herë është në rolin e kryefamiljarit, herë të psikologut, herë të nënës, herë të shokut e herë të shoqes.
Mësuesit nuk ja falin vetes asnjëherë nëse një nxënës nuk arrin të jetë i suksesshëm në jetë!
Një mësues matematike më tregoi: “Kisha klasë në kujdestari vitin e katërt gjimnaz, gjatë gjithë vitit shkollor kisha në mendje se për çfarë do të studionte gjithsecili. Në asnjë moment nuk e mendova që ndonjëri nga nxënësit e mi nuk do e vazhdonte shkollën e lartë. Kështu, gjatë vitit bëra disa mbledhje, kuptova kushtet që ata kishin në familje, kujt i duhej të fitonte bursë me patjetër, evidentova prirjet e gjithsecilit, ku kishin më shumë mundësi. Matematikën e zgjodhën vetëm dy nxënës, të cilët në fakt kishin më shumë prirje në shkenca sociale. Kur i pyeta përse, me treguan se donin të më ngjanin mua. Mbeta pa fjalë, pasi unë isha imazhi i mësuesit autoritar. Në fund ia dola! Të gjithë nxënësit e mi vijuan studimet e larta. Isha i lumtur dhe i emocionuar.”
Histori frymëzuese, histori që tregojnë përkushtimin e mësuesve dhe përgjegjësinë e tyre.
Mësuesia nuk është vetëm profesion, është mision, prandaj mësuesit janë heronjtë tanë.