Mësuesi Sami Çelaj ende ruan ditarin e djegur nga lufta e fundit në Kosovë. Ai është një prej shumë mësuesve të vendit që nuk ndalte mësimdhënien edhe në kohën e masave të dhunshme, kur Serbia kishte mbyllur dyert e shkollave në Kosovë.
Çelaj, në emisionin “Frontal” me Arsim Lanin, ka treguar historinë e ditarit gjysmë të shkrumbuar, të cilin e ka sjell në emision dhe ka folur edhe për kohën kur jepte mësim në shkollë të improvizuar prej najloni në Malet e Berishës.
“Ky ditar është pasi jemi kthyer nga lufta në shkollë, policia kishte djegur dhe demoluar gjithçka, nga krejt dokumentacioni vetëm ky ditar ka shpëtuar. Na e kemi marrë si dëshmi këtë ditar”, ka rryëfyer ai.
Çelaj ka treguar se në ditar mund të gjinden notat e nxënësve në atë kohë dhe ka thënë se ditarin do ta dërgojë në muze si dëshmi e krimeve serbe në Kosovë.
“Janë notat e nxënësve, janë krejt. Ditari ka shpëtu por ditarët dhe dokumentacioni tjera janë djegur. Këtë ditar do ta dërgojë në muze si dëshmi e asaj çka serbët kanë bërë këtu”, ka thënë ai.