Heltin Guraziu punon në arsimin fillor si mësues i muzikës në dy shkolla të kantonit St. Gallen. Ai është i angazhuar në disa orkestra simfonike e bende muzikore
Heltin Guraziu punon në arsimin fillor si mësues i muzikës në dy shkolla të kantonit St. Gallen, në Wil dhe Rheneck. Ai është i angazhuar në disa orkestra simfonike e bende muzikore që veprojnë në këtë pjesë të Zvicrës lindore. Instrumentet që ai luan janë; Kontrabas, E-Bas dhe kitarë.
Në kuadër të shkollës organizohen shfaqje për prindër, si pjesë unikate muzikore me 8 persona, në ansambël të sinkronizur me 4 djem dhe 4 vajza, tregon Guraziu, i cili përveç angazhimit në shkollë, është pjesë e shfaqjeve të ndryshme, si «Musik am See» dhe Open «Air Wolfhalden». Heltini, gjithashtu ka marrë pjesë edhe në finalen e «St. Galler Rheintal». „Në Rheintal Sound Wetberwerb që kishte rreth 30 bende muzikore, kemi dalë të 6- tët“, flet ai me modesti. „Kam edhe një ansambël rok-muzikë „Neptun“ me nxënës të shkollës së muzikës“ plotëson ai në itinerarin e ngjeshur të aktiviteve muzikore prej se ka ardhur në Zvicër, ku mes tjerash luajnë edhe muzikë popullore zvicerane, të quajtur „Appenzeller Musik“.
8 vjet jetë intensive në Zvicër të «dhëndrrit të Kosovës»
Jeta intensive e durrësakut 39 vjeçar, ka nisur në vitin 2008 në kantonin e St. Gallenit. Hapin e parë e ka hedhur në shkollën e muzikës në Rheineck, tregon ai. «Ata më udhëzuan në në Ministrinë e Arsimit për nostrifikim të diplomës», nga ku pastaj, vetem gjashtë muaj pasi që ishte vendosur në Zvicër, fillon të punojë si mësues i shkollës së fshatit në Rheineck. „Në po të njëjtin vit më është hapur po ashtu rruga të punoja si profesionist në një erkestër në Liechtenstein. Isha i vetmi që paguhesha atje“, tregon storien e suksesit të integrimit në jetën zvicerane, dhëndrri i Kosovës, Heltin Guraziu.
Heltini flet disa gjuhë të huaja
Para se të vinte këtu, ai ka jetuar dhe punuar për pesë vite pa ndërprerë në Kosovë; si përkthyes për stafin e ndërkombëtarëve. Përveç gjuhës shqipe që e zotëron në të dyja dialektet, toskë e gegë, durrësaku fletë anglishten, italishten, gjermanishten dhe nga pak spanjishten. Në Kosovë ai ka punuar edhe si mësues i lëndës së muzikës dhe gjatë kohës së lirë, thotë se ka bërë muzikë në bar-restorante të Kosovës.
„Arsyet që më kanë shtyrë të migroj, janë lidhjet e forta që kisha me vajzën kosovare, Klodina Kryeziun“, tregon Heltini me një të folur kosovarçe që e kishte mësur gjatë pesë viteve sa kishte jetuar në Kosovë. „Eksperienca ime në Kosovë për mua ka qenë e mirë, atje më kanë pranuar si vëlla, por edhe këtu ndjehem më shumë se i pranuar, ndonëse në vendin e punës jam i vetmi mësues i huaj në mesin e 50 mësimdhënësve të tjerë“.
Kosova për të ishte vendi i parë i „huaj“ që kishte shkelur duke lënë Shqipërinë mbrapa për të mos u kthyer kurrë më ashtu siç ishte më parë
Mësuesi që nuk mendon të kthehet më në vendlindje
Zvicra më ka mësuar të jem i pavarur, të bëj planet e mia dhe të kem një agjendë pune. „Kur zgjohem e di që kam një plan, një detyrë. Kurse në Shqipëri kur jam zgjuar kam pyetur, çfarë bëj unë sot“, tregon më tej Guraziu se si në Shqipëri s’ka pasur jetë të keqe, por prapë se prapë, ka qenë diçka bosh.
Për Zvicrën dhe zvicëranët ka përshtypjet më të mira. Në Zvicër njëriu prezanton veten, s’ka lidhje se nga vjen, shprehet Giuraziu. Unë së pari kam prezantuar veten time, pastaj vendin prej nga vij. „Këtu ndjehem si në shtëpinë time, kurse atje më duket vetja si i huaj. Unë shqiptar jam, nuk bëhem dot zviceran, por atje shkoj si turist“. Zviceranët janë njerëz e popull që dinë të bashkëjetojnë me të tjerët, thotë me bindje durrësaku për të cilin muzika ka qenë boshti i jetës së tij që prej moshës 6 vjeçare. „Madje me të jam rritur“, shton ai, „si 6 vjeç kam nisur të merrem me muzikë. Në moshën 14 vjeçe e kam ditur se do të bëhem muzicient e asgjë tjetër“, tregon Heltin Guraziu, i lindur në gusht të vitit 1977 në qytetin bregdetar, Durrës, ku ka mbaruar shkollën e muzikës dhe më pas ka vazhduar studimet universitare në po të njëjtin drejtim, në Tiranë. Në vendin ku i ka kujtimet rinore e që e ka bërë ky që është sot, por që nuk nuk mendon më të kthehet për të jetuar atje. „Unë të ardhmën time e shoh në Zvicër. Kjo ndjenjë ka filluar të më shfaqet para disa vitesh. Durrësi më duket i huaj“.
Për çiftelinë, në shkollën e muzikës është përcaktuar vetëm një nxënës!
I dhënë pas instrumenteve burimore, ai kishte futur në programin e orëve të tij, çiftelinë si pjesë e përzgjedhjes vullentare për nxënësit që dëshirojnë ta mësojnë. „Kjo më është shpaguar vetëm me një nxënës shqiptar që kishte shprehur interesim për ta mësuar këte instrument“, ngushëllohet Guraziu me idenë e drejtorit të shkollës, që çiftelinë e kishte menduar si mundësi për të pasur më shumë fëmijë shqiptarë në shkollën e muzikës në Wil. /albinfo.ch/.