E hënë, 25 Nëntor, 2024

Mësuesi, ky model që na ndjek gjithë jetës

- Advertisement1-

Sot është dita e mësuesit! Do të doja t’i këndoja me gjithë forcë fjalët e këngës “o mësues i dashur!” Do të doja të rrokja secilin prej tyre dhe t’i falënderoja me mirënjohje për punën që bëjnë.

Si tani e kujtojë mësuesen e time të parë. Flokë-gjatë e flokë-thinjur, kujdesur të vendoste një karficë tek balluket e gjata, ecje e shpejt dhe me hap të vogël, e hollë, sy mikpritës në dukje por kritik dhe formal, me zë të qartë, të mprehtë dhe pak të ftohtë. Kishte autoritet në klasë dhe të gjithë mezi prisnim vlerësimin e saj në ato sukseset e para të arritjeve akademike. Kujtoj gëzimin e parë kur më nxori fletoren para klasës dhe kujtoj lotët e para kur më tërhoqi vërejtje për shkrimin në orën e bukurshkrimit, po përpara klasës. Kujtoj emocionet e para kur lexova për herë të parë, kur kraharori m’u mbush me ankth, gjunjët më tradhtuan sa nuk qëndroja dot në këmbë, fytyrën e ndjeja zjarr nga turpi dhe sytë qëndronin vigjilent të kapnin vlerësimin e shokëve nëpërmjet lëvizjeve spontane të fytyrës. Ditën tjetër, iu rebelova prindërve duke i kërkuar të mos më çonin më në shkollë, dhe edhe pse në kopsht nuk kisha shkuar më shumë se disa muaj, gjatë gjithë fëmijërisë time të hershme, kërkoja të kthehesha atje. Kaq të forta do të kenë qenë emocionet, sa kërkova të kthehesha në kohë, dhe të qëndroja e vogël, në atë fetusin e sigurt dashurisë prindërorë.

- Advertisement -

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi
Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Dëshmia e mësipërme tregon se sa delikate dhe domethënëse janë ditët dhe vitet e para të shkollës për mënyrën se si ndjehemi ne. Të përjetosh emocione kaq të ndryshme, të forta, deri në pikën që mendon të largohesh nga shkolla, është e zakonshme, apo zakonet në mësimdhënie janë shkathtësi të cilat mund të përmirësojnë vetveten duke ndikuar pozitivisht dhe objektivisht tek fëmijët dhe dëshira e tyre për shkollën? Kjo dhe të tjera pyetje më vijnë ndërmend ndërsa mendoj për rolin e pashoq që kanë mësuesit tek zhvillimi i fëmijës. Gjithashtu edhe prindërit, por ky artikull nuk është për ata.

Roli i mësuesit është thelbësor në ndikimin që ka tek fëmijët në moshën shkollore. Përpara se të kalojmë në reflektime të mëtejshme, do të duhet të përmend teoritë e njohura të J. Piaget dhe E. Erikson për të kuptuar më mirë se me çfarë stadesh njohjeje dhe rritje konjitive dhe psiko-sociale kemi të bëjmë në këtë moshë.

J. Piaget, e quajti moshën shkollore 7-11 vjeç, Stadi i Operacioneve Konkrete: në këtë moshë fëmijët fillojnë të mendojnë më logjikisht, por ende i menduari mund të jetë i kufizuar, i ngurtë. Fëmijët e kanë të vështirë në këtë moshë të abstragojnë dhe të jenë hipotetik, ndaj dhe hasin vështirësi në kuptimin e plotë të pamjes logjike. Gjithashtu, në këtë moshë fëmijët fillojnë të jenë më pak egocentric dhe të mendojnë se çfarë mendojnë dhe se si ndjehen njerëzit e tjerë, ndikimi që ata kanë tek “tjetri” dhe emocionet e tyre. Një tjetër karakteristikë e kësaj moshe është se fëmijët në këtë stad fillojnë të kuptojnë se mendimet e tyre janë unike për ata dhe se jo çdokush, detyrimisht, mund të ndajë mendimet, ndjenjat dhe opinionet e tyre. Nëse këto nuk rezultojnë të suksesshme, për arsye nga më të ndryshmet, kryesisht për keqmenaxhim të procesit mësimor ose vështirësi familjare, atëherë fëmija “aftësohet” në besime irracionale për veten, duke çuar drejt vetëvlerësimit të ulët, pamundësinë për të zgjidhur operacionet, pra drejt inferioritetit.

Në këtë pikë, teorisë së Piaget i bashkohet teoria e stadeve psiko-sociale të E. Erikson, ndërmjet moshës 5 deri në 12 vjeç: Kompetencë kundrejt inferioritetit. Këtu fëmijët mësojnë të lexojnë dhe të shkruajnë, të mbledhin dhe zbresin, pra të zgjidhin vet gjëra të reja. Mësuesit marrin një rol shumë të rëndësishëm në këtë stad në jetën e fëmijës sipas Eriksonit duke i mësuar fëmijëve aftësi specifike. Është pikërisht ky stad në të cilin bashkëmoshatarët marrin një domethënie të madhe duke u bërë burim i vet-vlerësimit të fëmijës. Fëmija tashmë në këtë moshë ndjen se do të duhet të fitojë aprovim duke demonstruar kompetencat e tij specifike të cilat vlerësohen nga shoqëria duke formuar kështu sensin e krenarisë dhe përmbushjes, arritjes. Nëse fëmijët do të mund të inkurajohen dhe të përforcohen për iniciativat e tyre, ata fillojnë të ndjehen prodhues dhe konfident mbi aftësinë e tyre për të përmbushur qëllimet. Nëse kjo iniciativë nuk inkurajohet, nëse është e kufizuar ose e pa drejtuar nga prindërit dhe mësuesit, atëherë fëmija do të fillojë të ndjehet inferior, duke dyshuar mbi aftësitë e tij, dhe si rrjedhojë të mos arrijë potencialin e synuar.

Megjithatë, disa dështime në këtë moshë janë të rëndësishme tek fëmija pasi krijojnë ndjenjën e modestisë. Për t’i ardhur sërish, balancimi midis kompetencës dhe modestisë është i domosdoshëm. Në fund të fundit, ky është dhe suksesi në vetvete, dhe në këtë stad, suksesi përkthehet në kompetencë.

- Advertisement -rrrrrrr

Ndërsa kujtojmë fëmijërinë tonë, prindërit dhe mësuesit janë ata që i sjellim më shpesh ndërmend në atë se çfarë kemi mësuar dhe përjetuar. Ngacmimet e hallkave të personalitetit tonë, të vlerave dhe mendimeve që kemi mbi ato tek vetja, fillojnë që në vitet e para të shkollimit. Sot kemi mjaft të dhëna që na tregojnë se prindi është “mësuesi” i parë që na prezanton me një imazh për veten, duke i dhënë personalitetit ngjyra të cilat janë kritike në mënyrën se si ne mendojmë për veten. Më pas janë mësuesit, ata të cilët prekin drejtpërdrejt njohjen dhe vetëdijen mbi punën, mbi dëshirën ose zellin për punë dhe arritje të vetvetes, duke na mësuar se si të përkthejmë jetën e përditshme dhe ta mbushim atë gjithnjë e më tepër me influencën tonë. Pra, ne fillojmë të kemi ndikim në zgjidhje të operacioneve të cilat në proceset njohëse, mendore përkthehen si aftësim për të zgjidhur situata dhe për të marrë vendime.

A nuk janë teoritë e sipërpërmendura të mjaftueshme për të na treguar se figura e mësuesit është domethënës dhe kritike për zhvillimin e fëmijës? Nëse do të duhet të përshkruajmë modelin e mësuesit në shkollat shqiptare, a jemi ne në shumicë që mendojmë se figura e tij është “mësuesi, prindi i dytë?!” Figura e tij është e lidhur me personin që na do, na edukon pozitivisht, duke na ofruar njohje nëpërmjet komunikimit asertiv, motivues, empatik, ku durimi dhe qetësia, puna dhe përkushtimi janë cilësitë që dominojnë mësimdhënien?! A jemi ne në shumicë që mendojmë se dhuna, përbuzja, neglizhenca, dembelizmi dhe primitiviteti intelektual nuk janë cilësi që i faturohen figurës së mësuesit shqiptar?!

Uroj që të jetë kështu, por faktet e këtyre dekadave të fundit nuk tregojnë këtë. Faktet tregojnë se sistemi ynë arsimor është i kapur ngushtë në hartimin e disa testeve sasiore për të matur kompetencat e mësuesve, duke anashkaluar seriozisht performancën cilësore të tyre. Do të na duheshe të kalonim në një sërë pamjesh filmike mediatike të viteve të fundit për të kuptuar se arsimi ka dështuar në këto përpjekje, duke na sjellë, edhe një herë, edhe një herë, edhe një herë figurën e një mësuesi primitiv: dhunë fizike, verbale dhe psikologjike tek fëmijët njomëcak, pa kurrfarë frike as nga vetja, as nga ligji por as nga Zoti. Kam frikë se shumica nuk jemi ne, por këto fëmijët të cilët nuk kanë përfituar nga ky sistem arsimor atë për të cilën janë aty.

Nuk ka fëmijë të këqij dhe fëmijë të mirë, fëmijë të zgjuar apo “budallenj”, fëmijë të “trashë” apo të “hollë”, fëmijë të lëvizshëm apo të urtë, fëmijë të dhjetës apo të katrës, të njëshit dhe të pesës, ka thjesht mësues të cilët do t’i duhet të zbulojnë se tek të gjithë fëmijët kanë potencialin për të pasur 10-ën e tyre, për të qenë të “mirë,” për të qenë aktiv në mësim, për të qenë të dashur dhe për të dhënë më të mirën e vetes së tyre. Dhe padyshim, që të gjithë fëmijët kanë format e tyre të inteligjencës, dhe është detyra e mësuesit t’ia tregojë dhe inkurajojë pa iu përmbajtur skemës arkaike se vetëm ai i 10-ës vlen. Duke reflektuar kështu, duket sikur evidentojmë se puna e mësuesit është e lehtë dhe thjesht ata po çedojnë të bëjnë detyrën e tyre. Përkundrazi, nuk është aspak e lehtë të jesh mësues! Puna e mësuesit është shumë e vështirë, sfiduese, e përgjegjshme, me dinamika kalorsike kur vjen puna tek shumëllojshmëria e natyrës së fëmijëve, me historitë e tyre jetike personale, sociale dhe familjare.

Ndaj dhe i çmoj me shumë përulësi dhe respekt, të gjithë ata mësues që i kanë thënë “PO!” këtij profesioni, duke iu dedikuar me pasion dhe përkushtim mësimdhënies tek fëmijët dhe edukimit të tyre, duke na falur kujtimet më të bukura të jetës dhe duke e shndërruar adultërinë tonë të përmbushur me modele pozitive, të inkurajuar dhe frymëzuar për të ndryshuar botën, duke filluar të ndryshojmë jetët tona. Duke na mësuar se si të ndikojmë pozitivisht tek shoqëria, me kompetenca dhe modesti. Këta mësues janë heronjtë e mësimdhënies, dhe nuk ka test sasior dhe cilësor që i thyen për të mos vazhduar këtë mision, pasi puna e tyre flet brez pas brezi. Këta mësues nuk humbasin asnjëherë nga memoria kolektive. Për këta mësues përmallohet shoqëria jonë sot, e cila e meriton të jetojë më mirë, duke mos përjetuar se si dhjetëra mijëra fëmijë largohen nga vendi për një arsim më të mirë.

Sot është dita e mësuesit! Do të doja t’i këndoja me gjithë forcë fjalët e këngës “o mësues i dashur!” Do të doja të rrokja secilin prej tyre dhe t’i falënderoja me mirënjohje për punën që bëjnë. Mbi të gjitha, do të doja të ishim një kor i madh, prindër dhe fëmijë, ndërsa e këndonim këtë këngë. Duhet sikur po flas me nostalgji për mësuesin që do të doja të kisha përballë. Kam besimin e plotë se përballë korit të të gjithë nxënësve apo ish nxënësve, do të qëndrojnë të gjithë mësuesit, pa përjashtim, por jo të gjithë prej tyre do të ndjehen krenar për ato fjalë! Ndoshta do të ketë nga ata që nuk do ta kuptojnë, sikurse do të ketë nga ata të cilët shurdhët, do të largohen duke marrë me vete, vetveten.

Piaget, J. (1983). Piaget’s theory. In P. Mussen (ed). Handbook of Child Psychology. 4th edition. Vol. 1.

Bee, H. L. (1992). The developing child. London: HarperCollins.

Erikson, E. H. (Ed.). (1963). Youth: Change and challenge. Basic books.

Portali Shkollor/

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

10 mënyra për t’i kryer detyrat tuaja të shtëpisë më shpejt

Detyrat e shtëpisë mund të jenë të bezdisshme dhe të marrin shumë kohë, ndërsa...

Nxënësja Elmedina Dajaku i kushton këngë heroit Halil Geci në përvjetorin e rënies së tij

Në një akt të ndjerë përkujtimi, nxënësja Elmedina Dajaku ka interpretuar një këngë të...

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Luisi djali 14-vjeçar i cili mbeti i plagosur nga ngjarja e rëndë të ndodhur...

Kolektivi i shkollës “Jorgji Dilo” nga Elbasani viziton shkollën “Asdreni” në Pejë

Shkolla "Asdreni" në Pejë ka njoftuar se kanë pasur për vizitën kolektivin e shkollës...