Mësimdhënësi Fadil Curri, i shkollës “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit, ka rrëfyer për jetën e tij si mësimdhënës në një intervistë për Albanian Kids Education.
Ai ka folur ndër të tjera edhe për arsimin e viteve paralufte dhe ditët e sotme.
Mësuesi Curri thotë se atëbotë kishte shumë vështirësi, rrezikohej nxënësi e mësuesi, kurse ditët e sotme ka disi ftohje nga dija.
“Atëbotë kishte vështirësi të njëmendta arsimi, por dëshirë e përbashkët ishte të jenë afër shkollës. Rrezikohej nxënësi e mësuesi me ardhje në shkollë, por e ngushëllonte patundshëm aspirata e madhe për liri e bashkim. Sot nuk i kemi ato vështirësi, por kemi disi ftohje nga dija, edukata dhe emancipimi. Duket se pas luftës i përqafuam disa metoda pune të papeshuara si duhet, duke krijuar nga kierarkia kurikulare plot paqartësi e anarki”.
“Që është edhe më e dhimbshme, me decenie nuk po mund t’i marrë këmbët e veta arsimimi. Gjendja është e hutuar, dëshpëruese e pa optimizëm perspektiv. Ndaj institucionet e arsimit duhet të ndërmarrin qëndrime të vendosura, nëse duan ta ndalin injorancën, egërsinë joedukative, grindjet, suksesin e dobët, të mos jemi objekt rezerv i PISA-s ndërkombëtare”.
“Rrëmuja është shkaktuar nga shpejtësia e kualifimit të kuadrove përmes diplomave të brendanatshme, jotestimin e joinspektimin e tyre të merituar, mungesën e vërtetimit të tyre në praktikë intelektualisht e moralisht. Kjo ka bërë që edhe nxënësit të mos e kenë nderimin ideal ndaj mësuesit, që edukata e tyre të jetë tejet jomiqësore, shkathësitë për jetë të tyre që sot të jenë të deformuara”, ka thënë Albanian Kids Education.
INTERVISTË| Fadil Curri: Dy ngjarjet që nuk do t’i harrojë kurrë si mësimdhënës