“Misioni që ka arsimi, është angazhimi i përçdoditshëm për brezat e rinj, sepse pikërisht në këtë formë e diktojmë ndërtimin e shoqërisë e të nesërmes”. Kështu ka deklaruar mësimdhënësi Adriatik Zeqiri, nga Shkolla Fillore “Hasan Prishtina”, i cili ka folur për Ditën e Mësuesit, për rëndësinë e të qenit mësues dhe për sfidat e mësimdhënësve.
Ai tha se puna e tij si mësimdhënës i jep ndjenjë të veçantë dhe se angazhimi i sotëm përcakton suksesin e të ardhmes.
“Ditari është veç një shenjë. Ndjenja më e veçantë është puna me nxënësit. Misioni që ka arsimi, është angazhimi i përçdoditshëm për brezat e rinj, sepse pikërisht në këtë formë e diktojmë ndërtimin e shoqërisë e të nesërmes. Se çka do të kemi nesër, përcaktohet pikërisht gjatë angazhimit që e kemi sot me këtë ditar në dorë”, tha Zeqiri.
Më tutje ai shtoi se duhet reflektuar ku ishim, ku jemi dhe ku do të shkojmë në të ardhmen.
“Duhet të kemi një pozicion reflektimi, se ku kemi qenë, ku jemi dhe kah e kemi marrë kahun. 7 marsi është një datë e veçantë. I gjithë marsi është përplot me data të veçanta. E kemi 7 marsin e shkollës së parë shqipe, Epopenë e UÇK-së, marsin e demonstratave të 81-shit. Marsi na treguan vuajtjet, përpjekjet, sakrificat, luftën e vazhdueshme për të arritur sa më tepër përparim për ndërtimin e shoqërisë e të kombit tonë”, pohoi ai. /RTK/