Në shkollën “Tefik Çanga”, në Ferizaj ka vazhduar programi përmbyllës i organizuar për nxënësit e klasave të pesta, duke shënuar fundin e një etape të rëndësishme në rrugëtimin e tyre shkollor.
Aktiviteti u organizua me përkushtim nga mësueset Hanife Mehmeti, Qëndresa Sylejmani dhe Vjollca Berisha, të cilat së bashku me nxënësit sollën një program të pasur artistik para prindërve, mësimdhënësve dhe stafit të shkollës, shkruan AlbanianEducation.net.
Programi përfshiu këngë, valle, poezi, skeçe humoristike, interpretime instrumentale dhe aktivitete të tjera kreative, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionale. Përveç gëzimit dhe krenarisë për sukseset e arritura gjatë viteve të shkollimit fillor, momenti u shoqërua edhe me emocione ndarjeje nga mësueset që i kanë udhëhequr nxënësit në hapat e parë të arsimit.
Të pranishmit vlerësuan angazhimin dhe talentin e nxënësve, ndërsa duartrokitën punën e vazhdueshme të mësueseve në edukimin dhe formimin e tyre.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë ndër vite, mësueset u nderuan me lavdata nga drejtuesit e shkollës, si vlerësim për përkushtimin e tyre në arsimimin e brezave të rinj.
Me këtë aktivitet, nxënësit e klasave të pesta i dhanë fund me sukses ciklit fillor, duke hapur një kapitull të ri në rrugëtimin e tyre arsimor. Urime për ta dhe suksese në sfidat e ardhshme.