Intervista është realizuar për faqen Family are Albania nga Marsi Simo (Sociologe)
1- A ka qenë dëshira jote për mësuesinë që në vogëli kur krijoheshin lojëra mes fëmijëve?
Jo, asnjëherë nuk kam menduar se do të bëhesha mësuese. As nuk e kam pasur dëshirë faktin që të qendroja në një mjedis pa lëvizur.
2- Sa vite keni në mësuesi dhe çfarë ka ndryshuar që nga viti i parë i punës?
Unë kam fiks 4 vite punë. Kam ndryshuar unë dhe qasja ime ndaj nxënësve. Më parë kam qenë shumë më e brishtë, më e “dobët”, më vinte shumë keq, e shpesh bëja me faj veten për shumë situata. Sot, kam mësuar të vendos kufij, të mbaj qëndrim dhe mos të ndikohem nga ata. Them se nxënësi nga çdo situatë merr atë çfarë atij i intereson, jo çfarë kam dashur të them unë.
3- Nëse do ishe drejtuese e një institucioni arsimor çfarë do përmirësoje?
Së pari do përmirësoja marrëdhënien mësues- drejtues. Ajo karrige e drejtuesit është e përkohshme, sot dikush e nesër një tjetër. Nuk mohoj shoqëritë mes kolektivit, por ndarja mes profesionales dhe personales duhet të jetë parësore te drejtuesit. Në pamje të parë kjo respektohet, por më pas krijohen disa situata, ku këto diferencime janë të ulëta.
4- Çfarë nevoje të menjëhershme ka arsimi sot?
E di sa shkolla të bukura kemi ne, të restauruara, me tabela aq të bukura nëpër mure, figura e vizatime. Ama shikoni sa nxënës të pa lumtur ka, apo të pa motivuar! Pse, e pyes veten shpesh!
Sot më terpër kemi “mësues mjeshtër” por kjo nuk mjafton. Ka humbur shpirti i punës, mes mësuesish. Një mësues nuk e bën libri që ka përpara, por qasja e tij njerëzore ndaj punës. Jo rroga, absolutisht jo! Ky vend ka nxjerrë ekselent dhe me rroga mediokre. Sot njeriu është më i lodhur s’e diskutoj, por nuk kanë faj fëmijët. Këtë nuk e rregullon një ligj, por ndërgjegjja njerëzore. Kërkojmë më të mirën, por ne vetë a e japim atë?!
5- Si është raporti me nxënësit? Si e ndërton fugurën e mësuesit me ta?
Sot një mësues i ri e ka shumë të vështirë ndërtimin e figurës së tij. E them shpesh, që kjo vjen dhe nga familja, e cila i bën “analizë”. Mendoj se ka nevojë të vendoset kufij. Sot nxënësit kanë shumë nevojë që të ndihen të dëgjuar, për t’i parë në sy kur flasin, dhe unë kjo mësuese dua të jem, më njerëzore pavarësisht lëndës që jap. Matematika është shkencë, e jo të gjithë e duan, por ta duash, dhe ta respektosh është gjë tjetër. Kombinimin i të dyjave e bëjnë mësuesen të frymëzojë ata që e shohin çdo ditë.
6- Cilin profesion do zgjidhje nëse nuk do ishe mësuese?
Ëndrra ime ka qenë avokatia, gjithmonë. Por ëndrra e mamit tim ka qenë mësuesia. Unë nuk jam një mësuese e zakonshme, pasi i flas nxënësve të mi për yjet, hënën, planetet, historinë, atletikën, sportin, muzikën dhe ndonjëherë them se ky profesion ma jep kaq mundësi. Ne flasim për ëndrra, pavarësisht se mësojmë numra. E dua punën time, i dua sytë e nxënësve të mi, habinë në sytë e tyre kur unë iu flas. Dhe po, dua të jem një mësuese njerëzore, ashtu si kam dashur unë.
/Albanian Education/