E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Mësuese Ëngjëllushe Zeneli: 7 marsi i parë, ende gjallë në kujtime

- Advertisement1-

Në këtë rrëfim për Portalin Shkollor, mësuese Ëngjëllushe Zeneli tregon emocionet e 7 Marsit të parë, për të mbërritur në atë të pas më shumë se tre dekadave, urimet e ngrohta nga të gjithë brezat që ka mësuar dhe një mesazh për kolegët e rinj.

E gjithë vëmendja, sot, u kushtohet atyre, mësuesve…, që me gjithë përkushtim e tyre, dijet, dashurinë, durimin…, kanë edukuar breza të tërë. Ndodh shpesh, që në këtë ditë, mësuesit të marrin urime të shumta nga nxënësit e tyre, nga ish nxënës qofshin ata të shkëlqyerit, apo “të praptët”. Më 7 mars, të gjithë duan të falënderojnë mësuesit e tyre, t’i shprehin vlerësime dhe mirënjohje, por më së shumti duan t’i dhurojnë atë përqafimin e mëngjesit, sapo mësuesja hyn në klasë, e t’ia mbushin duart me lule. Dhe kjo është ndjesia më e mirë edhe për mësuesit, që i duan të gjithë nxënësit njëlloj, edhe pse në momente të caktuara u duhet që t’i përkushtohen një nxënësi më shumë se një tjetri, të ndihmojnë atë që u duhet pak më shumë ndihmë në matematikë apo fizikë se ‘gjeniut’ të klasës, apo herë-herë të ngrenë në tabelën e zezë nxënësin ekselent, që përmes tij, t’i shpjegojnë klasës një problem të caktuar. Por këto, nxënësit i kuptojnë kur bëhen studentë, e akoma më shumë kur bëhen prindër, kur u duhet të asistojnë në detyrat e shtëpisë së fëmijëve të tyre, e kështu historia përsëritet.

- Advertisement -

Për mësuese Ëngjëllushe Zenelin, ky 7 Mars është i 31-i që ajo feston. Por ndjesia është e njejtë, njësoj si në vitin 1989, kur e festoi këtë ditë për herë të parë, e në fakt kishte vetëm 6 muaj që punonte si mësuese, në Elbasan. Aktualisht punon si mësuese matematike në një ndër gjimnazet më me emër të Tiranës, te “Ismail Qemali”, konkretisht në seksionin dygjuhësh italisht-shqip, projekt i financuar nga Ambasada Italiane, kjo një përvojë e re për të, e cila më herët ka dhënë matematikë në gjuhën angleze edhe në një kolegj të njohur.

Në këtë rrëfim për Portalin Shkollor, mësuese Ëngjëllushe Zeneli tregon emocionet e 7 Marsit të parë, për të mbërritur në atë të pas më shumë se tre dekadave, urimet e ngrohta nga të gjithë brezat që ka mësuar dhe padyshim, një mesazh për kolegët e rinj.

Mësuese Engjëllushe, si e kujtoni 7 marsin tuaj të parë?

Eh, shumë vite më parë…. Megjithëse i gjallë në kujtime! 7 marsi i vitit 1989 më gjeti në gjimnazin e Gjinarit piktoresk të Elbasanit. Kisha kaluar 6 muajt e parë të punës sime mes atyre njerëzve të mrekullueshëm e nxenësve që nuk ishin edhe shumë larg moshës sime (rreth 4-5 vite më të vegjël se unë). Ishte një festë fantastike!

Është 7 marsi i 31-të që ju festoni. Pas kaq shumë vitesh, a keni krijuar marrëdhënie të veçantë me ndonjë nga ish nxënësit tuaj?

Po, dëgjohem me shumicën e tyre, si në Elbasan edhe në Tiranë, urojmë njëri-tjetrin, më pyesin për probleme të ndryshme (jo vetëm të matematikës, hahaha), dhe ndihem e lumtur që rrethohem nga aq shumë dashuri.

- Advertisement -rrrrrrr

Cili është urimi më i bukur që keni marrë dhe përse është i veçantë për ju?

Më i bukuri? S’e di! Janë të gjithë aq të veçantë e të bukur pasi vijnë nga shpirtra të dlirë… Më vjen ndërmend 7 marsi i vitit 2009 ku klasa 9/c, me ndihmën e një koleges sime, më tërhoqi pakuptuar drejt një salle të errësuar enkas e s’dukej asgjë përveç një tufe të madhe me lule në mes të saj të ndriçuar nga një dritë e zbehtë e një muzikë që dëgjohej në sfond. Me të hyrë në klasë, ata filluan një e nga një urimet në vargje…

“Kemi kaluar çaste që përherë i kujtojmë,

Dhe pse nganjëherë s’i meritojmë,

Këtë ditë nga zemra të falënderojmë,

E me shumë dashuri të urojmë,

Të jesh e lumtur si fundi i një përrallë të bukur…”

U emocionova pa masë.

Padisktim që duhet të ketë patur edhe nxënës që i është dashur përkrahja juaj. Si e kanë shprehur ata mirënjohjen ndaj jush?

Në kujdestarinë e maturës 2016 ishte një nxënës me problem shëndetësor. Përgjatë tre viteve e gjithë klasa kujdesej për të në mënyrë mbresëlënëse, mirëpo në provimet e Maturës e kishte të domosdoshme praninë e një mësuesi që të ishte pranë tij, gjë që u bë e mundur nëpërmjet DAR Tiranë me kërkesat tona të vazhdueshme. Arritëm që ai ta kalonte këtë periudhë të ngarkuar e më pas i kish kërkuar të ëmës të më falenderonte pasi mendonte se nuk do arrinte ta shprehte si duhet mirënjohjen. Sa dashuri!

Kur ju përshëndesin ish nxënës në rrugë, a i mbani mend se cilët janë?

Shumicën e mbaj mend, por ata të parët kanë ndryshuar tashmë, nuk njihen, e kur më ndalojnë në rrugë stepem për një çast. Janë edhe ata prindër adoleshentësh tashmë!

Profesioni i mësuesit është ndër më të bukurit dhe padyshim ndër më të vështirët. A është rasti sot për të përmendur ndonjë problematikë që ju keni hasur gjatë karrierës suaj? Si e keni zgjidhur?

Problematika ka shumë sidomos me tekstet që për hir të së vërtetës ka patur shumë luhatje këto vite. Por një gjë më ka mbetur në mendje pasi s’kam mundur të gjej një zgjidhje në favor të nxënësve. Në vitet 2010-2013 punoja pranë kolegjit turk “Turgut Ozal” dhe nxënësit e merrnin mësimin e matematikës si në ciklin e lartë të 9-vjeçares ashtu edhe në të mesme në Gjuhën Angleze nëpërmjet teksteve anglisht. Kjo gjë përbënte problem, sepse provimin e lirimit dhe atë të maturës, ata e bënin me tezën në Gjuhën Shqipe, si gjithë moshatarët e tyre në shkollat e tjera. Në fund të shkollës para provimeve nxënësve të klasave të 9-a e 12-a i duhet shumë punë për të arritur rezultatin e duhur. Kërkova disa herë që të zgjidhej ky problem, por asgjë nuk ndryshoi.

Këtë vit punoj pranë seksionit dygjuhësh Italo –Shqiptar të financuar nga Ambasada Italiane dhe mësimi i matematikës dhe disa lëndëve të tjera bëhet me dy mësues brenda orës së mësimit shqip dhe italisht, sipas programit të ndjekur për tre vite.

Keni edukuar shumë breza. Keni patur nxënës që janë bërë personalitete të njohur ose ndryshe VIP-a?

Krenohem me të gjithë dhe shumica prej tyre kanë bërë shumë arritje në fusha të ndryshme. Kujtoj Blerinën nga Elbasani, e cila është një eksperte e njohur e ekonomisë investigative në Amerikë, Vasilika Bargjo, gazetare e njohur e cila ka punuar në Top Channel, Krista Merkoci blogere e njohur e brezit, Kejda Ajazi apo Bora Meta, sa bukuroshe por dhe aq të zgjuara, por edhe shumë të tjerë të cilët sot punojnë në administratën publike dhe institucione e biznese private dhe janë të suksesshëm. Kujtoj Jorida Ballolli, e cila tashmë është mësuese matematike, e cila kur nisi universitetin më tha: “Kam vendosur të bëhem si ju.”

Dhe së fundmi, një msazh për mësuesit e rinj dhe një urim për kolegët tuaj…

Brezave të rinj të arsimtarëve do tu sugjeroja: Jepni dashuri e disponibilitet dhe do të merrni shumë më tepër rezultate në punën tuaj fisnike.

Një urim special shkon për kolektivin e palodhur të gjimnazit Ismail Qemali. Gëzuar festën kolegë të nderuar që punoni çdo ditë me përkushtim për edukimin e brezit të ri, duke e renditur shkollën ndër më të mirat në Shqipëri.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Shkolla “Mustafë Venhari” në Vushtrri shkëlqen nga pastërtia

Shkolla fillore “Mustafë Venhari” në Vushtrri po dëshmon se një mjedis i pastër është...

Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë ekspozohen sot në Prishtinë

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave...

Vrasja e nxënësit 14-vjeçar/ Zbardhet dëshmia në mbledhjen me prindërit: Autori nxori thikën në klasë

Në rrjetet sociale është publikuar një audio nga mbledhja me prindërit e shkollës “Fan...

Kjo është një klasë e improvizuar pas luftës në Gjakovë

Drejotresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova-Baçi, ka publikuar një fotografi të një klase...