E diel, 24 Nëntor, 2024

Mësime në Rezistencë: Sistemi Paralel i Arsimit në Kosovë në Vitet ‘90-ta / FOTO

- Advertisement1-

(Artikulli origjinal është shkruar ne gjuhën angleze, përkthimi nga redaksia)

Duhej dorëzuar referati mbi librin e Floberit, “Madam Bovari”. Ishte viti 1997 dhe librat në gjuhën shqipe nuk gjendeshin lehtë. Një kushërirë më lajmëroi në moment të fundit se kishte gjetur një kopje serbisht të librit në bibliotekën e saj private. E dorëzova referatin në kohë, edhe pse ishte i shkruar keq.

- Advertisement -

Është vështirë të shkruash referat të mirë në shqip mbi një libër të lexuar në serbisht. Megjithatë, eseu im për luhatjet emocionale të Ema Bovarisë dhe ligjëratat e Floberit mbi etikën, mori notë të mirë, por kryesisht ngaqë thjesht kisha arritë ta përfundoja detyrën. Pa qasje në libra apo biblioteka, jo të gjithë nxënësit arrinin t’i përfundonin detyrat.

Këto lloj situatash ishin tipike për gjeneratën time, që u shkollua nëpër shtëpi-shkolla, pasi që regjimi serb i dëboi nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë nga shkollat. Bibliotekat publike e shkollore u sulmuan gjithashtu, gjë që rezultoi në dëmtimin sistematik të mbi 65 bibliotekave dhe qindra mijëra librave në gjuhën shqipe.

Në vitin 1989, autonomia e Kosovës në Jugosllavi u suprimua nga regjimi serb, i drejtuar nga Slobodan Millosheviqi. Kosova humbi të gjitha fuqitë legjislative dhe ekzekutive, duke përfshirë edhe ato mbi çështjet lokale si arsimi. Vendimet për kurikulat dhe librat shkollor tani merreshin në Beograd.

Ndryshimet kurikulare pasuan, duke ndikuar kryesisht në lëndët si historia, gjeografia, gjuha shqipe dhe muzika. Referencat për kulturën, literaturën dhe historinë shqiptare u larguan dhe u zëvendësuan me referenca sllave ose serbe. Synimi ishte të dobësohej ndjenja e përkatësisë kombëtare për studentët shqiptarë. Ky proces i shkatërrimit të qëllimshëm jo-fizik të një kombi, në diskursin e të drejtave ndërkombëtare të njeriut quhet gjenocid kulturor.

Një vit më vonë, në pranverën e vitit 1990, Beogradi shkoi një hap tutje, duke kërkuar segregimin e shkollave në Kosovë. Nxënësit serbë do të ndiqnin mësimet në mëngjes ndërsa nxënësit shqiptar pasditeve. Sipas librit të Zijadin Gashit për sistemin arsimor të Kosovës në vitet e 1990-ta i publikuar në 2014, ky vendim u morr nën pretekstin që tensionet etnike që po shfaqeshin në Kosovë po i bënin studentët serbë të ndiheshin të pasigurt. Kjo nënkuptonte që shkollimi i përbashkët ishte i pamundur. Meqenëse kishte shumë më shumë studentë shqiptarë sesa serbë, pasdite shkollat ishin të tejmbushura.

- Advertisement -rrrrrrr

Studentët e shkollës “Xhevdet Doda” mësojnë në shtëpi-shkolla për disa muaj para se mësuesit dhe nxënësit të ‘okuponin’ ndërtesën e rrënuar në qendër të Prishtinës | Foto kortezi nga Shyqeri Obertinca.

Tri javë pasi që u ndanë shkollat, më 22 mars 1990, një helmim masiv i nxënësve ndodhi në disa qytete të Kosovës njëkohësisht. Vazhdoi përgjatë vitit dhe i preku rreth 7,000-8,000 nxënës kryesisht shqiptarë. Beogradi e quajti hospitalizimin e qindra nxënësve brenda një dite “histeri masive” – edhe pse pacientët shfaqnin simptoma të helmimit nga gazi nervor (skuqje e syve, shkumë nga goja, konvulsione). Helmimi ka mbetur mister gjatë gjithë këtyre viteve: rezultatet laboratorike në Prishtinë si dhe mostrat e dërguara jashtë vendit nuk dhanë rezultate përfundimtare për llojin e helmit dhe si u fut helmi brenda shkollave. Por qytetarët e Kosovës ishin të bindur që kjo u bë nga shteti serb.

Në korrik të vitit 1990, shqiptarët e shpallën Kosovën, Republikë të Jugosllavisë si akt sfidues për shtypjen që po rritej nga shteti serb. Republika natyrisht që nuk u njoh, por kjo ngjarje mbolli farën e organizimit të një shteti paralel në Kosovë.

Në shtator të vitit 1991, forcat serbe po bënin luftë në Kroaci. Në Kosovë, policia serbe rrethoi shkollat, duke mos lejuar mësimdhënësit dhe nxënësit të hyjnë në ndërtesa. Mësimdhënësit shqiptarë kishin refuzuar të jepnin mësim me kurrikulën e re serbe, kështu që shteti i shkarkoi ata nga puna. Disa i arrestoi. Drejtorët shqiptarë të shkollave u zëvendësuan më drejtorë serbë.

Foto të Sead Ramës gjatë vitetve të studimit nën okupim

Nxënësit dhe studentët shqiptarë – 400,000 gjithsej – nuk shkuan në shkollë deri në janar 1992. Semestri i parë u përdor për të negociuar hapësira mësimore brenda shkollave publike, si dhe për të gjetur shtëpi private që mund të strehonin nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët universitarë – shumica e të cilëve ishin dëbuar nga objektet shkollore. Mbi 100,000 nxënës e studentë u vendosën në mënyrë permanente në 3,200 shtëpi, bodrume dhe garazha private, që u shndërruan në shkolla të improvizuara.

Në pranverë të vitit 1992, Kosova kishte themeluar një sistem të tërë paralel arsimor. Disa qindra kilometra në veri, ushtria serbe filloi në Bosnjë atë që do shndërrohej në luftën më brutale jugosllave.

“Shkolla më e mirë” në Prishtinën paralele

Kryeqyteti i Kosovës e ka qendrën në luginë ndërsa lagjet rezidenciale nëpër kodrat përreth. Fillimisht, në qendër jetonin dhe punonin qytetarë të të gjitha etnive, ndërsa lagjet periferike ishin të banuara kryesisht nga shqiptarët. Në vitet ‘90, jeta publike e shqiptarëve u shty ngadalë, por dhunshëm nga qendra e qytetit drejt lagjeve periferike. Qyteti – njëjtë si shkollat – u nda në vija etnike.

Të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës dhe shumica e shkollave të mesme u zhvendosën në shtëpi private nëpër lagjet periferike, duke formuar kështu një version paralel të secilit institucion arsimor. Një numër i konsiderueshëm u zhvendosën në lagjen më të varfër, Kodrën e Trimave (dikur Vranjevc), në veri. Në vitet e para këto shkolla-shtëpi nuk kishin banka, karrige ose tabela. Nxënësit uleshin në tokë, afër njëri-tjetrit, duke marrë shënime në prehër.

Ndërtesa e shkollës “Xhevdet Doda” para se komuna e Prishtinës vendosi ta shembë për të lejuar ndërtimin e katedrales katolike “Nënë Tereza” | Foto kortezi Shyqeri Obertinca

Shkolla ime ishte e vetmja shkollë në qendër të qytetit që shqiptarët mund ta përdornin. Shkolla e mesme “Xhevdet Doda” ishte një ndërtesë dykatëshe, e dëmtuar dhe vjetruar, që gjendej aty ku është Katedralja Katolike sot. Nxënësit dhe mësuesit serbë u transferuan nga aty në ndërtesa më të mira shkollore në qytet, të cilat nuk përdoreshin më në kapacitet të plotë pasi që shqiptarët u dëbuan nga aty dhe “Xhevdet Doda” mbeti e zbrazët. Prandaj me pak vështirësi, mësimdhënësit dhe nxënësit shqiptarë u kthyen në këtë ndërtesë në shtator 1992.

Ndërtesa kishte klasë të vogla, izolim të papërshtatshëm dhe vetëm një tualet. Bankat, karriget dhe materialet mësimore shpesh mungonin. Nuk kishte bibliotekë apo kabinet shkencor. Stufat me dru dhe qymyr ofronin ngrohje në ditët më të ftohta të dimrit. Qyngjet e tyre shpesh lironin tym në klasë. Qynga në klasën time me lehtësi dilte nga vendi dhe një herë i ra një shoqes në kokë. Ajo përjetoi lëndime të lehta por pas incidentit, të gjithë u munduam të uleshim sa më larg stufës.

Prapë se prapë, kjo ishte shkolla më e mirë në qytet. Meqenëse në ndërtesë publike, ajo u popullarizua shumë. Filloi të pranonte vetëm aplikantët më të mirë nga shkollat fillore. Pasi ishte ndërtesë e mirëfilltë shkollore, ajo ofronte ndjenjën e disiplinës dhe rreptësisë, që shpesh u mungonte nxënësve që uleshin këmbëkryq nëpër dysheme, duke marrë shënime nëpër shkollat-shtëpi në periferi të Prishtinës. Kjo lloj rreptësie frymëzonte nxënësit si unë, të gjenim dhe të lexonim romane serbisht, në mënyrë që të përfundojmë detyrat e shtëpisë në gjuhën shqipe.

Si rezultat, shumë nga këta ish-studentë të “Xhevdet Dodës” arritën të marrin bursa dhe të studiojnë në disa nga universitetet më të mira perëndimore. Disa u kthyen në Kosovë ku u bënë liderë në profesionet e tyre sot.

Sead Rama, klasa e 1996 ruajti dy tulla të gjimnazit “Xhevdet Doda”, kur ndërtesa u shkatërrua gjatë 2006-2007. Katedralja “Nënë Tereza” u ndërtua në vend të saj | Foto: Atdhe Mulla
Sead Rama, klasa e 1996 ruajti dy tulla të gjimnazit “Xhevdet Doda”, kur ndërtesa u shkatërrua gjatë 2006-2007. Katedralja “Nënë Tereza” u ndërtua në vend të saj | Foto: Atdhe Mulla

Duke rikujtuar të 90-at, nuk mund të mos ndjej trishtim dhe tronditje për dëmin që i shkaktoi politika e Beogradit kualitetit të arsimit në Kosovë, kur dëboi shqiptarët nga shkollat publike. Unë ndjehem si me fat që kam vijuar mësimin në një shkollë e cila sadopak ka qenë në gjendje të mirëmbajë disa standarde arsimore. Shumë nga bashkëmoshatarët e mi nuk kishin fatin e njejt.

Sistemi që la vajzat prapa

Me gjithë organizimin e jashtëzakonshëm të sistemit arsimor paralel, shumë nga nxënësit dhe mësimdhënësit lanë shkollën. Shifra të zymta citohen në librin e Tim Judah, Kosova: Lufta dhe Hakmarrja: krahasuar me 1989-90, gjatë 1995-96 kishte 12 përqind më pak nxënës në shkolla fillore, 21 përqind më pak në shkolla të mesme dhe 50 përqind më pak studentë universiteti. Një pjesë e këtij zvogëlimi të studentëve mund t’i atribuohet migrimit. Pjesa tjetër thjesht lanë shkollën. Shumica ishin vajza, mosha ime ose më të madhe, në zona rurale, familjet e të cilave mendonin që nuk ishte e sigurt për vajzat të ecnin disa kilometra deri në shkollë nëpër patrullimet e shtuara të policisë serbe rreth fshatrave të tyre.

Regjistrimi i popullsisë në 2011 tregon që dy të tretat e grave të moshës 25-39 – gra që ishin në moshë shkollore në vitet e 90ta – kanë përfunduar vetëm shkollën fillore ose më pak. Sipas një studimi nga UNICEF në 2008, shkalla e analfabetizmit në këtë “gjeneratë të humbur” grash është tre herë më e lartë se e burrave.

Rezistenca

Sistemi arsimor paralel në Kosovë ishte më shumë se sa angazhim kundër zbrapjes së shqiptarëve në analfabetizëm. Ishte gjithashtu mjeti kryesor përmes të cilës shqiptarët po mundoheshin të realizonin Republikën. Gati të gjithë në Kosovë ishin të përfshirë në këtë ushtrim të shtet-ndërtimit: mësuesit, studentët, prindërit, si dhe të gjithë ata që kontribuuan financiarisht dhe ofruan shtëpitë e tyre. Kosova po organizonte një sistem arsimor publik paralel, si dhe në thelb, një shtet paralel. Ashtu siç e shpjegon Judah, “nëse flasim nga perspektiva politike, shkollat kishin një ndikim të jashtëzakonshëm sepse të gjitha dokumentet shkollore vuloseshin sikur ishin botuar nga ‘Republika e Kosovës’.”

Fillimisht, sistemi paralel i arsimit ngërtheu në vete gjithë rezistencën paqësore të shqiptarëve, por më vonë filloi të ekspozonte edhe limitet e kësaj rezistence, dhe shtroi rrugën për një kapitull të ri në historinë e Kosovës.

Në shtator të vitit 1996, me ndërmjetësim ndërkombëtar, u arrit një marrëveshje mes udhëheqësit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe atij të Serbisë Slobodan Millosheviq, për të kthyer studentët shqiptarë në ndërtesat universitare. Por Millosheviqi nuk e mbajti fjalën, dhe viti i ri akademik i gjeti studentët nëpër shkolla-shtëpi prapë.

Albin Kruti, udhëheqës i protestave studentore i flet turmës në vitin 1977 | Foto: Bujku
Albin Kurti, udhëheqës i protestave studentore i flet turmës në vitin 1997 | Foto: Bujku

Më 1 tetor 1997, studentët e Universitetit të Prishtinës organizuan protestën më të madhe të dekadës, duke kërkuar zbatimin e marrëveshjes. Protesta u shtyp dhunshëm nga policia serbe atë ditë, por u riorganizua në ditët dhe muajt në vijim. Siç e përshkruan ngjarjen një artikull i New York Times nga viti 1998, “data e 1 tetorit 1997, shënoi një ndryshim rrënjësor në politikën e Kosovës… pasi që u largua tymi dhe gazi, ishte e qartë që diçka te shqiptarët kishte ndryshuar në mënyrë dramatike. Barriera e frikës ishte ulur.”

Protestat kalonin shpesh nga shkolla ime dhe unë ndonjëherë dilja më herët nga shkolla për t’iu bashkangjitur. Mbaj në mend ndjenjën që ndryshimi po ndodhte. Diçka e madhe po ndodhte dhe vetja ime 15 vjeçare donte të ishte pjesë e ndryshimit.

Protestat i dhanë fund stabilitetit që ishte arritur nga 1991 deri në 1997. Nuk kishte vullnet politik në Beograd të lejoheshin shqiptarët të jetonin një jetë normale në Kosovë. Protesta e studentëve qartësoi një të vërtetë të dhimbshme: rezistenca paqësore ishte konsumuar. Kishte ndihmuar shqiptarët të mbijetonin gjithë ato vite por nuk ishte në gjendje t’u jepte atyre një jetë më të mirë brenda Jugosllavisë.

Paralelisht me protestat e studentëve, grupet e para të armatosura në Kosovë filluan të sfidonin shtetin serb ushtarakisht. Ato filluan një betejë kundër regjimit represiv dhe drejt ndërtimit të mirëfilltë të Republikës së Kosovës, që deri në atë pikë kishte ekzistuar vetëm si sistem qeverisjeje paralele. Dekada përfundoi me luftën e fundit brutale të Serbisë në Jugosllavi, që e la gjurmën e vet edhe në sistemin e arsimit në Kosovë. Shumë nga shkollat u shkatërruan dhe u rrafshuan sistematikisht.

Sot, 17 vite më vonë, shumica e shkollave janë rindërtuar dhe infrastruktura fizike është përmirësuar. Por, kualiteti i sistemit arsimor ende vuan nga trashëgimia e shkatërruese e viteve ‘90.  / kallxo.com/

 

 

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Buxheti për arsim i 2025-tës: 101 milionë euro më i lartë se katër vjet më parë

Buxheti për arsim për vitin 2025, sipas ministres Arbërie Nagavci do të jetë 417...

Shkolla “Mustafë Venhari” në Vushtrri shkëlqen nga pastërtia

Shkolla fillore “Mustafë Venhari” në Vushtrri po dëshmon se një mjedis i pastër është...

Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë ekspozohen sot në Prishtinë

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave...

Vrasja e nxënësit 14-vjeçar/ Zbardhet dëshmia në mbledhjen me prindërit: Autori nxori thikën në klasë

Në rrjetet sociale është publikuar një audio nga mbledhja me prindërit e shkollës “Fan...