Sot pasdite janë ekzekutuar pagat e muajit shtator për mësimdhënësit grevistë. E për këtë, Hanife Salihu nga Këshilli Grevist i SBASHK-ut, njoftoi se mësidhënësve në 6 Qendrat e Kompetencës në kuadër të Ministrisë së Arsimit, u kanë dalë pagat me minus 100 euro.
Njëkohësisht, Salihu bëri të ditur se deri më tani ekzekutimi i pagave në komuna tjera është bërë në mënyrë të rregullt.
“Ndoshta shumë shpejt diku pas orës 16:00 ka filluar ekzekutimi i pagave. Mund të ju them që 6 Qendra të Kompetencës të cilat janë në kuadër të Ministrisë së Arsimit, pagat u kanë dalë me minus 100 euro. Mirëpo, dua të besoj që është ndonjë gabim teknik, ngase nuk kanë arsye që atyre t’iu ndalin nga 100 euro. Përndryshe, tek të tjerat komuna, pagat u kanë dalë në mënyrë të rregullt deri më tani”, tha Salihu e ftuar në emisionin “Ditari”.
Më tej, Salihu në Tëvë1 tha se vendimi i Qeverisë Kurti për ekzekutim të pagave është për t’u përshëndetur, pasi sipas saj, qeveritarët më në fund kanë reflektuar që ndalesa e pagave për sektorin e arsimit ka qenë antiligjore.