1 shtatori i gjeti nxënësit jashtë bankave shkollore, ndërsa mësimdhënësit në grevë.
Reagimet dhe pakënaqësitë nga më të ndryshmet, kanë bërë që shumë mësimdhënës të reagojnë dhe të shprehin qëndrimet dhe mendimet e tyre. Një prej tyre është edhe mësimdhënësja Fatlume Limani-Shala, e cila ka thënë që është pro kësaj greve
Greva e cila ka filluar në arsim të enjten e 25 gushtit, ka shkaktuar reagime dhe pakënaqësi nga më të ndryshmet. Mësimdhënës, prindër, dhe shumë personalitete publike në vend kanë ndarë mendimin e tyre në lidhje me këtë çështje.
Disa e kanë përkrahur e disa jo, por mësimdhënësja në shkollën “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, Fatlume Limani-Shala e ka përkrahur këtë grevë dhe e sheh si të arsyeshme.
Limani-Shala në një intervistë për portalin Dukagjini, ka treguar rreth qëndrimeve të saj në lidhje me grevën dhe jo vetëm.
“Jam pro grevës, arsyeja që më ka shtyrë të jem pro grevës është të jemi pro unanitetit, por ajo që më shtyn edhe më shumë të jem edhe më e dhënë për grevë është se që 20 vjet, çdo vit dhe çdo ditë ndoshta, autoriteti jonë po bie”.
“Unë jam një mësimdhënëse që gëzoj autoritetin tim para nxënësve të mi, por në masë jo, sepse në masë po njihemi si mësimdhënës nga të cilët po dalin gjenerata të dobëta, që PISA ka dështuar, dhe unë si Fatlume nuk e shoh që gjithë kjo situatë është shkaktuar nga mësimdhënësit, sepse mësimdhënësit janë ata të parafundit, dhe të fundit janë nxënësit që mund të cilësohen si fajtorë në lidhje më këtë çështje”, ka thënë Limani-Shala.
Dështimin e nxënësve në procese vlerësuese ajo e sheh të përbashkët, duke thënë se kjo është zingjirore. Sipas saj, nëse mësimdhënësit dhe nxënësit kanë dështuar kjo barrë bie edhe mbi Ministrinë.
“Mësimdhënësi është punëtorë i MASHT-it dhe në qoftë se ka dështuar mësimdhënësi, ka dështuar Ministria, ka dështuar DKA-ja sepse nëse ministria thotë ju duhet ta kryeni kurrikulën, ti detyrimisht duhet ta kryesh dhe pavarësisht të mirave apo të këqijave që ti i sheh gjatë asaj procedure duhet t’i aplikosh sepse je punëtore e MASHT-it, je punëtore e DKA-s”.
“Ne asgjë nuk kryejmë pa marrë konfirmim nga personat kompetent, nuk marrë asnjë lloje përgjegjësie apo pune pa pyetur drejtorin, DKA-n dhe MASHT-in dhe kjo punë shkon zingjirore dhe në qoftë se MASHT na thotë neve duheni ta kryeni kurrikulën, ne e kemi kryer, me dëshirë dhe padëshirë, pavarësisht a del në pension edhe dy vjet ti duhet ta kryesh kurrikulën dhe mos të njihemi në masë, se mësimdhënësit janë ata dështakët, ose mësimdhënësit duhet të largohen nga shkollat, nuk janë, janë vetë qeveria, vetë shteti që e ka krijuar këtë situatë, duke përfshirë 20 vjet dhe jo vetëm kohën kur tash Kurti është në pushtet, por duke përfshirë të gjitha partitë që kanë pasur ndikim në MASHT, dhe pikërisht arsyeja pse sot nuk gëzoj autoritetin në masë është MASHT”, ka theksuar mësimdhënësja.