Një mësimdhënëse nga një shkollë e vendit ka ngritur një shqetësim të saj përmes një postimi anonim në grupin “Mësimdhënia në Kosovë”, duke theksuar lodhjen dhe angazhimin e madh që ajo dhe kolegia e saj kanë përjetuar gjatë ditëve të fundit, për shkak të procesit të verifikimit të aplikimeve për subvencionimin e librave shkollorë.
Sipas saj, prej 7 ditësh ato kanë qenë të angazhuara pa ndërprerje, duke punuar përmes laptopëve të tyre, edhe jashtë orarit të punës, për të verifikuar mbi 1500 aplikime të nxënësve.
Shumë prej këtyre aplikimeve janë bërë nga nxënës që nuk janë pjesë e shkollës ku ato punojnë, gjë që ka shtuar ndjeshëm volumin e punës dhe kohën e nevojshme për shqyrtim.
“Po punojmë 24 orë në ditë, pa pushim, për të verifikuar të dhënat e çdo nxënësi. Kjo është punë që kërkon angazhim shtesë dhe përgjegjësi, dhe nuk është pjesë e detyrave tona të rregullta,” ka shkruar mësimdhënësja në reagimin e saj.
Ajo i bën thirrje Ministrisë së Arsimit që të marrë parasysh këtë përkushtim dhe t’i kompensojë financiarisht për punën shtesë të bërë me përpikëri dhe profesionalizëm.
Ky rast ngre pyetje të rëndësishme lidhur me mënyrën se si trajtohet puna administrative që bie mbi mësimdhënësit në procese të tilla, dhe nevojën për një sistem më të drejtë shpërblimi për angazhimet jashtë orarit zyrtar të punës. /AlbanianEducation.net/.