Në vitin e shkollor 2024/2025 në ciklin e ulët në pesë shkolla fillore publike në Prishtinë, me vendim të komunës të Prishtinës nisi mësimi gjithëditor për herë të parë për nxënësit e klasave nga e para deri në të pestën.
Shkollat ku filloi projekti ishin: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Shkolla e Gjelbër”, “Nazim Gafurri” dhe “Qamil Batalli”. Në fillim të zbatimit të projektit, në Komunën e Prishtinës ishin zotuar se mësimdhënësit nuk do të ngarkohen me orë shtesë dhe se për këtë synim do të angazhohet staf i ri.
Por, disa mësimdhënës që punojnë në këto shkolla kanë thënë në kushte anonimiteti për gazetën online AlbanianEducation.net gjatë vitit të parë janë angazhuar përtej normës prej 20 orësh mësimi në javë, dhe nuk janë paguar.
Një mësimdhënëse ka treguar në kushte anonimiteti për AlbanianEducation.net se ajo personalisht ka mbajtur tetë orë shtesë dhe nuk është paguar.
“Ka mësimdhënës nga 10 orë, dikush 8 orë shtesë që ka punuar, por që nga muaji dhjetor nuk jemi paguar“, ka thënë një mësuese në kushte anonimiteti për AlbanianEduction.net.
Edhe dy mësimdhënës të tjerë në kushte anonimiteti kanë thënë se nuk janë paguar për orët shtesë.
Gazeta Online AlbanianEducation.net që i dedikohet plotësisht fushës së arsimit ka kontaktuar Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prishtinë për ta pyetur pse nuk po paguhen mësimdhënësit që po ngarkohen me orë shtesë në shkollat ku po mbahet mësimi tërëditor.
Samir Shahini, drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës ka thënë se kanë kryer me kohë procedurat ligjore dhe administrative për pagesa, por sipas tij faji qëndron te niveli qendror.
“Mësimi tërëditor përbënë një etapë të re dhe të rëndësishme në zhvillimin e arsimit në shkollat e kryeqytetit.Ky model është mirëpritur nga të gjithë dhe ne si Drejtori Komunale e Arsimit, në kuadër të përgjegjësive dhe në bashkëpunim me organet financiare, kemi bërë përpjekje që brenda mundësive që na lejohen të rrisim vlerën e pagesës për një orë mësimore.Kjo është bërë me qëllim që të vlerësohet puna, angazhimi dhe përkushtimi I secilit mësimdhënës të përfshirë në këtë proces“.
“Ne kemi përfunduar me kohë dhe në mënyrë të rregullt të gjitha procedurat ligjore dhe administrative për pagesa , mirëpo përkundër angazhimit dhe përgatitjes sonë të plotë fatkeqësisht e kemi pasur të pamundur të procedojmë me pagesa për shkak të bllokimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës nga niveli qendror“, ka thënë Shahini për AlbanianEducation.net.
Drejtori Shahini premton se pagesat mësimdhënësve do t’iu realizohen sapo të arrijnë në një zgjidhje.
“Ne kemi shprehur keqardhje për mësimdhënësit dhe ju kemi siguruar se sapo të arrijmë në një zgjidhje të gjitha pagesat do t’u realizohen“, ka thënë drejtori Shahini për AlbanianEducation.net.
Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), kanë thënë për AlbanianEducation.net se mospagesa për orë shtesë përbën shkelje ligjore.
“Jemi në dijeni se disa mësimdhënës të shkollave ku po mbahet mësimi tërëditorë nuk po paguhen për orët shtesë që po i mbajnë qe disa muaj dhe ne e konsiderojmë mospagesën e orëve shtesë si shkelje të të drejtave të punëtorëve të arsimit, pasi çdo orë shtesë e angazhimit që tejkalon normën javore duhet të kompensohet financiarisht, sipas Ligjit të Punës dhe Kontratës Kolektive të Arsimit. Tani kur kjo po ndodh, punëdhënësi (në këtë rast, Drejtoria Komunale e Arsimit apo shkollat individuale) janë në shkelje të ligjit“, ka thënë Vjollca Shala, nënkryetare e SBASHK-ut për AlbanianEducation.net.
Ajo tutje thotë se SBASHK këtë çështje do ta adresojë përmes institucioneve përkatëse.
“SBASHK-u është në proces të grumbullimit të informatave të detajuara nga terreni dhe do të adresojë këtë çështje përmes kanaleve zyrtare me institucionet përkatëse”, ka thënë Shala.
Kujtojmë se mësimi tërëditor në Prishtinë pritet të shtrihet edhe në gjashtë shkolla që nuk ndodhen vetëm brenda qytetit, por edhe në fshatrat e tij.
Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, në shtator të këtij viti fillon faza e dytë e mësimit tërëditor në shkollat: “Zenel Hajdini” në Prishtinë, “Ditët e Minatorit” në Kishnicë (model i plotë për klasat 1–9), “Ganimete Terbeshi” në Llukar, “Pjetër Bogdani” – Prishtinë, “Avni Rrustemi” në Mramur dhe “Teuta” në Grashticë.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara