Shkolla “Pavarësia” në Prishtinë ka njoftuar se nesër dy orët e para do të mbahet protestë nga mësimdhënësit.
Kjo protestë vjen pas rastit të dhunës që ndodhi mes një mësuesi dhe një nxënësi.
Njoftimi i shkollës:
Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve njoftojnë opinionin publik se më 10.02.2026, në ora 08:00, të gjithë mësimdhënësit do të jenë të pranishëm në shkollë.
Dy orët e para mësimore nuk do të zhvillohet mësim, pasi do të mbahet protestë. Procesi mësimor do të vazhdojë rregullisht pas përfundimit të dy orëve të para, përkatësisht nga ora e tretë, sipas orarit të rregullt. Ndërrimi i pasdites do ta zhvillojë procesin edukativo-arsimor normalisht, sipas orarit të paraparë.
Qëllimi i kësaj proteste është reagimi kundër veprimeve delikuente të nxënësve në procesin edukativo-arsimor, duke përfshirë dhunën fizike, fyerjet, ofendimet dhe sharjet ndaj mësimdhënësve. Këto veprime cenojnë rëndë autoritetin profesional, sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësit, si dhe dëmtojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Theksojmë se ky nuk është një rast i izoluar, por një fenomen shqetësues që po shfaqet në shumë shkolla. Përmes kësaj proteste synojmë të ngrisim zërin kundër këtij fenomeni dhe të kërkojmë angazhim serioz institucional dhe shoqëror për ta parandaluar dhe trajtuar me përgjegjësi.
Shoqata Sindikale
Këshilli Drejtues i Shkollës
Këshilli i Prindërve
ShFMU “Pavarësia”