Fehmi Kryeziu, mësimdhënës nga Malisheva, ka ngritur një shqetësim serioz lidhur me mungesën e librave shkollorë në shkollën ku ai punon, ndonëse jemi tashmë në javën e dytë të vitit të ri shkollor 2025/2026.
Mësimdhënësi Fehmi ka treguar se nxënësit e tij ende nuk janë pajisur me libra.
“Hyjnë në klasë nxënës pa asnjë libër, nxënës që na shikojnë në sy edhe sikur duan të na thonë: ‘Hajde na mësoni tash, por si t’i mësojmë pa libra?!’”, ka shprehur shqetësimin ai, shkruan AlbanianEducation.net
Mungesa e librave në fillim të vitit shkollor nuk është një problem i ri, por përsëritja e këtij fenomeni vit pas viti po kthehet në një krizë të vazhdueshme që prek drejtpërdrejt cilësinë e mësimdhënies dhe të nxënies. Kjo po shkaktohet pasi shumë prindërve ende nuk ju kanë dalë mjetet prej 80 euro nga Minsitria e Arsimit për blerjen e librave.
Këtë vit janë shfaqur pakënaqësi të shumta për subvencionimin e librave.
Shumë prindër përmes rrjeteve sociale kanë deklaruar se shuma e ndarë nuk mbulon të gjitha shpenzimet, duke i detyruar ata të paguajnë pjesën tjetër nga buxheti familjar.
Sipas MASHT, nga data 15 gusht 2025, prindërit kanë pasur mundësi të aplikojnë për subvencionim përmes platformës e-Kosova. Janë ndarë nga 80 euro për nxënësit e klasave 1–5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, si dhe nga 80 euro për nxënësit e klasave 6–9 për fletoret e punës dhe materialet tjera.
Ky është viti i tretë që Ministria e Arsimit aplikon këtë metodë të subvencionimit, por praktika vazhdon të kritikohet nga prindërit. /AlbanianEducation.net/.