Një nismë e ndërmarrë nga Komuna e Deçanit për të parandaluar ngacmimet seksuale në shkolla po kundërshtohet nga mësimdhënësit.
Ata janë kundër vendosjes së kamerave nëpër klasa. Kundër jetësimit të nismës është deklaruar edhe komisionerja për informim dhe privatësi. Por, në autoritetet komunale theksuan se nuk shohin masë tjetër për parandalim dhe për sigurinë e nxënësve përpos vendosjes së kamerave.
Komuna e Deçanin synon ta bëjë parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale në shkolla përmes vendosjes së kamerave vëzhguese brenda klasave.
Por, këtë po e kundërshtojnë disa mësimdhënës.
“Nëse instalohen nëpër dhomat e mësimit, nëse vendosin, i bie që fëmijët duan t’i ruajnë prej mësuesit, ose të kundërtën mësuesin ta ruajnë nga fëmijët. Për ne si mësimdhënës është një fyerje”, ka thënë Adem Lushaj – mësimdhënës në SHFMU “Rexhep Kadrijaj” për KTV-në.