Mësuesja Grevista Syla Sadiku ka emocionuar ndjekësit në rrjetet sociale me një postim të ndjerë kushtuar Festës së Abetares.
Përmes fjalëve plot emocion, ajo përshkroi momentin e veçantë kur nxënësit dalin në skenë dhe shqiptojnë me krenari shkronjat e para para prindërve dhe mësuesve të tyre.
“Një rrahje e fortë zemre, pak dridhje zëri dhe pastaj… drita!”, shkruan ajo, duke e cilësuar Festën e Abetares si çastin kur “fëmijët nuk po lexojnë thjesht një libër, por po hapin me duart e tyre të vogla portën e botës”.
Në postimin e saj, mësuesja përshkruan edhe emocionin e prindërve, të cilët mes lotësh krenarie shohin fëmijët e tyre të rriten mbi skenë, ndërsa çdo shkronjë e shqiptuar bëhet simbol i dijes dhe fillimit të një rrugëtimi të ri.
Sipas Grevista Syla Sadikut, në ato momente nuk kanë rëndësi gabimet apo harresat, por vetëm krenaria, përmbushja dhe ndjenja e pastër se sapo ka nisur një udhëtim që nuk do të ndalet kurrë.
