Pesë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve loakle, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar një paketë mbështetjeje financiare për studentët.
Sipas tij, do të miratohet një vendim për ndarjen e 100 eurove për çdo student që plotëson kriteret, për të lehtësuar kostot që lidhen me fillimin e vitit akademik.
Ky vendim sipas Kurtit, synon që studentët dhe familjet e tyre të kenë mundësi të përballojnë më lehtë shpenzimet që vijnë me regjistrimin dhe fillimin e studimeve.
“Me rastin e fillimit të vitit akademik, do të miratojmë një vendim për ndarjen e 100 eurove për të gjithë studentët që plotësojnë kriteret, ashtu që ata dhe familjet e tyre ta kenë më të lehtë përballimin e kostove që lidhen me fillimin e vitit akademik,” tha Kryeministri Kurti.
Ai theksoi gjithashtu se mbështetja për studentët nuk do të mbarojë me kaq.
“Sot do të miratojmë gjithashtu një tjetër premtim të rëndësishëm për studentët: Përmbushjen e një prej premtimeve kyçe, atë për bursa mobiliteti për studentët e nivelit bachelor,” shtoi Kurti.