Fan Noli është një prej figurave më të shquara të kulturës shqiptare. Me një mit të konsoliduar rreth vetes si njeriu që mund të bënte gjithçka, nga politika e muzika, te letërsia e studimet, Fan Noli mbetet edhe sot e kësaj dite një prej figurave kulturore më të cituara në arealin shqiptar.
E mes vargjeve të cituara më së shpeshti, janë vargjet e poezisë së njohur “Zgjidh e merr vet”, të cilat janë si vijon:
“A të duhen luftëtarë,
Gjithë botës t’i vësh zjarrë?
Do arratinë të marrë?
Merr nja dhjetë Kosovarë!”
Një kulturë si e jona, që jo rrallë krijon përshtypjen e vuajtjes nga ide të krekosjes e të vetëmadhërimit, e pranon pa kurrfarë shqyrtimi kritik një trajtim të tillë të “njeriut kosovar” në poezinë e Nolit.
Megjithatë, kjo poezi është problematike, me një mendësi të pafalshme të paragjykimit provincial e stereotipeve të tilla që ju bëjnë të mendoni se si mund t’i ketë shkruar këto vargje e njëjta mendje që i ka shkruar introduktat për Shekspirin, që ka përkthyer autorët fundamentalë të letërsisë botërore, e që ka ditur edhe të shkruajë poezi që i qëndrojnë edhe sot dinjitetshëm trajtimit kritik.
Mund të na pëlqejnë këto katër vargje specifike, sepse e lavdërojnë e e lëmojnë egon e kosovarit që i lexon, por lëvdata paushalle për dikë, hap rrugën për kritikën po aq paushalle, në mos më shumë, për dikë tjetër. Sepse kjo është mendësia e paragjykimit dhe si e tillë ajo vazhdon të prodhojë të njëjtat produkte, vazhdimisht, e vazhdimisht, e vazhdimisht.
Le të shohim, për shembull, ç’thotë Noli për krutanët.
“A të duhen gënjeshtarë,
matrapaz’ e kokëtharë,
që rërën shesin për farë?
Merr Krutanë dhe je i larë!”
Ai i paraqet krutanët, siç edhe shihet në vargje, si gënjeshtarë, matrapazë, kokëtharë që rërën e shesin për farë. Me të tilla paragjykime provinciale është e mbushur e gjithë poezia e njohur e Nolit, të cilës ne ia citojmë vetëm vargjet për kosovarët.
Për shembull, mes vargjeve problematike janë edhe ato për elbasanasit:
Po qefli a të duhen
që me jevga din’ e kruhen,
Zonja që pjellin çdo vit?
Vetëm Elbasani rrit.
Kjo i ka dy probleme themelore: e para, “që me jevga din’ e kruhen”, përfaqëson “cullak” racizmin. Në këtë pjesë të vargjeve, e meta e elbasanasve na del që ata nuk janë mjaftueshëm racistë për standardet e autorit, ashtu që të mos “dinë e kruhen me jevga”.
Vargu tjetër “Zonja që pjellin çdo vit? Vetëm Elbasani rrit.” është jo më pak problematik. Duke e anashkaluar termin “pjellin” që në gjuhën e sotme i referohet kafshëve, por këtu duhet të jemi të vetëdijshëm që gjuha dhe psikologjia e përjetimit të termave gjuhësorë ka ndryshuar, megjithatë vargjet e bëjnë gruan fabrikë fëmijësh. Redukton qenien e saj, do të mund të thoshin aktivistët për çështje gjinore. Dhe këtu do të kishin të drejtë plotësisht.
Lexojeni të plotë:
Zgjidh e merr vet
A të duhen luftëtarë,
Gjithë botës t’i vësh zjarrë?
Do arratinë të marrë?
Merr nja dhjetë Kosovarë!
Njerez të zgjuar me lezet
që i gjen në ç’do anë,
të bëjnë hallv’ e salep,
keta janë mjeshtrit Dibranë.
A do njerëz për ahengje,
Për tryez’ e për kuvende?
Burra e gra kërcejn’ në lodër?
Keta i gjen veç në Shkodër!
A të duhen gënjeshtarë,
matrapaz’ e kokëtharë,
që rërën shesin për farë?
Merr Krutanë dhe je i larë!
Po qefli a të duhen
që me jevga din’ e kruhen,
Zonja që pjellin çdo vit?
Vetëm Elbasani rrit.
Do ministra Kolonjarë,
se mbahen burra me mënd,
duan kudo të jenë të parë
në mexhlis’ e në kuvend !
Do budallenjë që veç hanë,
e hajvanë me dy këmbë,
pasuri s’dinë të vënë?
E ke gjithë Myzeqenë!
A do te rruash florinë,
katandinë e shtëpinë,
me dy qofte mbush sininë?
Ec’ e merr Gjirokastrinë!
Do të hash e të besh qejf,
Sofra shtruar si për mbret?
Pastërti e për hyzmet?
Të tillë gjen në Përmet
A do male me dëborë,
Trima t’ fortë e malësorë,
fort bujar’ e burrërorë?
I ke n’ Kukës, i ke me dorë!
Matjanët burra të zotë,
që dikur kanë ngrenë barot,
se i njeh gjith’ vendi mbarë,
Janë të gjithë për xhandarë!
A do trima e sejmenë,
kapardisur kudo venë,
pa zëre gjumi mos flenë,
Për tre Mirditor’ bëj benë!
Do dembela për Stamboll’,
Mos u loth, t’ gjezdiç dynjanë,
Më Tiranë rresht’ taborrë,
Vetëm të zgjatësh një dorë!
Do për punë një Korçar,
E ke bujk dhe ushtar,
Te gjith’ bashkë venë në arë,
Kok’ e këmbë s’kanë të sharë!
Hall i math me Skraparlinë,
ka rrezik të hash dhe dru,
Dy ministra le rrinë,
Se na duhen dhe pa tru!
A do urt’ njerzit të rrinë,
Në komandë të kesh ushtrinë?
Me taban ta kesh njerezinë,
Merr të gjithë Labërinë!
Ore të gjorë harruam Vlorën,
se kjo punë lahet me gjak;
Dy shirita, një medalje,
Kësaj gjëje i venë kapak!
A të duhen sharlatanë,
që të lëpihen në ç’do anë,
që të përçajnë vatanë?
Ke sa të duash Tropojanë!
Ka megjithatë, një argument që e mbron poezinë. Argumenti është ai i ndarjes së stilit, rimës e kualiteteve të tjera stilistike të poezisë nga ajo që një tekst i caktuar e thotë.
Edhe nëse i mbyllim sytë ndaj gjithë këtyre konstatimeve të papranueshme, poezia është e dobët dhe e ndërtuar monotonshëm. Me të njëjtin sistem rimash dhe jashtëzakonisht e parashikueshme.
Sidoqoftë, kjo poezi nuk mund të gjykohet për stil, sepse qëllimi s’është stili, por konstatimi. Qartazi, autorit nuk i bën fare se çfarë rime a çfarë gjuhe ka zgjedhur, i intereson mesazhi. Dhe mesazhi është aq skandaloz, sa të bën të ndiesh dhimbje.
/ Nacionale