Melisa Blakaj nga Kosova – po lë gjurmë në mjekësinë ndërkombëtare

- Advertisement -

Në çdo cep të botës ku ka sukses, ka edhe një histori frymëzimi. E tillë është edhe historia e Melisa Blakajt, një vajzë nga Istogu që po shkëlqen në fushën e mjekësisë në Kanada, me përkushtim dhe profesionalizëm të rrallë.

- paragrafi 1 -

Melisa lindi dhe u rrit në Istog, ku mori hapat e parë drejt ëndrrës së saj. Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në vendlindje, ndërsa më pas vazhdoi studimet universitare në Prishtinë, duke u diplomuar me sukses të lartë në fushën e Mjekësisë Diagnostike. Që në moshë të re, ajo kishte ambicie ndërkombëtare – në vitin 2016 udhëtoi në SHBA si nxënëse në shkëmbim kulturor në Minnesota, ndërsa në vitin 2018 qëndroi në Kaliforni për përvoja të tjera akademike.

- Advertisement -

Rruga e saj drejt ekselencës vazhdoi në Kanada, ku Melisa mbërriti në gusht të vitit 2019 si studente e huaj. Ajo u vendos në Thunder Bay, Ontario, ku përfundoi studimet pasuniversitare në Mjekësi Informatike. Menjëherë pas diplomimit, në maj të vitit 2021, ajo nisi punën e saj të parë me orar të plotë në Institutin e Shëndetit Publik të Ontarios. Gjatë kohës më të vështirë të pandemisë globale, Melisa dha kontribut të çmuar në testimet për COVID-19 nëpërmjet metodës PCR, në departamentin e mjekësisë molekulare.

Sot, Melisa punon në një nga qendrat më prestigjioze të kërkimeve neurologjike në Kanada – në Universitetin e British Columbia në Vancouver. Ajo është koordinatore e hulumtimeve për sëmundjen e Sklerozës Multiple, një sëmundje serioze e sistemit nervor që ende nuk ka kurë. Në këtë qendër, ajo mbikëqyr qindra pacientë pjesëmarrës në prova klinike, duke qenë pjesë e një ekipi që punon për testimin dhe analizimin e barnave eksperimentale.

Melisa është gjithashtu përgjegjëse për sektorin laboratorik, ku analizon gjendjen e pacientëve përmes analizave të gjakut, duke ndjekur progresin apo regresin në trajtimet eksperimentale.

- Advertisement -

“Jo të gjithë pacientët do të kenë të njëjtën përgjigje gjatë testimit të ilaçeve, por motivimi më i madh për mua është kur i shoh duke u përmirësuar dita-ditës. Ky progres na jep shpresë se një ditë mund të gjejmë një kurë për Sklerozën Multiple – dhe kjo është shpërblimi më i mirë që mund të marr,” – shprehet Melisa me emocion.

Historia e saj është një dëshmi e fuqisë së vullnetit dhe dijes. Melisa Blakaj jo vetëm që është krenari për Istogun, por edhe për gjithë Kosovën – një model suksesi që tregon se edhe nga qytetet tona të vogla mund të dalin profesionistë të mëdhenj që kontribuojnë në shkencën botërore./Mitropol/