Pas një divorci të vështirë, Rosie Pang donte shumë të kishte fëmijë me partnerin e saj të ri, por iu tha se nuk do të ishte e mundur. Ajo ishte po aq e befasuar sa kushdo tjetër se si rrodhën gjërat më pas!
Rosie Pang ka qenë gjithmonë një grua e vendosur, duke kapërcyer vështirësitë në çdo hap. E rritur nga një nënë me probleme me alkoolin dhe kumarin, fatkeqësisht përfundoi në një martesë të palumtur në moshën 19-vjeçare. Pasi martesa e saj e parë përfundoi në 2005, pas një incidenti të dhunës në familje, Rosie u regjistrua në universitet me ëndrrat për t’u bërë mësuese. Gjatë gjithë kohës ajo rriti pesë fëmijët e saj dhe punonte me kohë të pjesshme në fundjavë për të vazhduar pagesat e hipotekës. Në vitet pas divorcit, Rosie vendosi të ecë përpara edhe me jetën e saj personale, duke nisur një lidhje me një burrë që donte “dëshpërimisht” të kishte fëmijë me të. Fatkeqësisht, kishte sfida të tjera përpara.
Duke folur për The Mirror, Rosie tha: “Unë ndoqa një klinikë trajtimi IVF dhe më thanë se prodhova vetëm pesë vezë dhe shanset e mia për të mbetur shtatzënë ishin të ulëta, pasi 80% e atyre vezëve nuk do të ishin mjaftueshëm efektive. Ndërkaq, kjo solli edhe fundin e lidhjes me të dashurin tim”.
Në verën e vitit 2017, Rosie e gjeti sërish romancën, me një partner të ri, dhe vitin e ardhshëm mbeti e befasuar nga disa lajme të papritura. Rosie, e cila nuk e kishte ndier nevojën për të marrë kontracepsion për më shumë se pesë vjet në këtë pikë – zbuloi se ishte shtatzënë në prill të 2018. Duke kujtuar momentin kur e mori vesh, Rosie tha: “Atë mëngjes, nuk u ndjeva mirë dhe kisha dhimbje koke, kështu që vajza ime më sugjeroi të shkoja për një kontroll para menopauzës dhe atëherë e mora vesh. Nuk mund ta besoja! I thashë fëmijëve të mi përmes WhatsApp-it dhe askush nuk më besoi! Isha 44 vjeç!”
Rosie zgjodhi të mos i tregonte askujt në punë për shtatzëninë e saj dhe vazhdoi mësimdhënien si zakonisht. Megjithatë, sapo ajo arriti në javën e nëntë, pësoi disa marramendje, dhe kështu ndjeu se duhej t’ia besonte punën një kolegu. Pasi ajo dhe vajza e saj panë fetusin e shëndetshëm, vendosën që shtatzënia të vazhdonte. Rosie shpjegoi: “Infermieret u treguan shumë të mira me mua, duke më mbështetur deri në fund të shtatzënisë. Ndërkaq, vajza ime la studimet e saj në master, për të më ndihmuar. Më çoi me makinë në momentet e fundit të shtatzënisë dhe madje ishte e pranishme në lindje. Më kujtohet kur pashë Lean në krahët e mi dhe mendova “oh zot, ajo është kaq e bukur!”
Rosie përfundon duke thënë se: “Kam pasur pesë fëmijë në moshën 29-vjeçare dhe ia kam dalë, por një fëmijë në moshën 45-vjeçare ishte e vështirë. Megjithatë, fëmijët e mi kanë qenë të mrekullueshëm. Gjithçka ndodhi kaq natyrshëm, dhe është vërtetë diçka që nuk përshkruhet me fjalë. Nuk planifikoj asgjë tani, pasi jeta është kaq e paparashikueshme”.
Përgatiti K.I / Burimi mirror.co.uk