Nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën janë të obliguar t’i blejnë tekstet e reja shkollore, pasi jo të gjithë librat janë kthyer nga gjenerata e kaluar. Nxënësit ankohen se edhe ato me të cilat janë pajisur, janë të dëmtuara. E kjo situatë, sipas mësimdhënëseve, është duke u shkaktuar probleme.
50 për qind e nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën në shkollën “Emin Duraku” janë pajisur me tekste shkollore.
Sipas legjislacionit në fuqi, nxënësit e nivelit të mesëm të ulët pajisen me tekste të reja shkollore çdo dy vjet.
Sivjet, ata procesin mësimor do ta zhvillojnë me tekste të gjeneratës së kaluar. Nxënësit ankohen se kanë mungesë të disa librave e ato që i kanë nuk janë në gjendje të mirë.
“Të gjitha ishin të shqyera dhe të vjetra”, tha Erin Berisha, nxënës në shkollën “Emin Duraku”.
“Ende jo, gjysmë i kam dhe fletore të punës më mungojnë”, tha Altin Beqiri, nxënës në “Emin Duraku”.
“I kam marrë nga shkolla të gjitha, por vetëm fletore pune më mungojnë”, tha nxënësja Bajramshahe Marolli.
Drejtori i shkollës, Visar Osmani, tha se disa libra mungojnë, për shkak të ndryshimit të numrit të nxënësve krahasuar me gjeneratën e kaluar.
“Viteve të kaluara ne e kemi pasur një kërkesë për kujdestarët e klasave që nuk ka librezë, nuk ka dëftesë, nëse dëmtohen librat… ndërsa te cikli gjashtë nëntë mbi 50 për qind i kanë kthyer dhe i kemi, sepse edhe ka lëvizur numri nga gjenerata në gjeneratë”, tha Osmani.
E njëjta gjendje është edhe në shkollat e tjera. Për këtë, janë bërë ankesa edhe në Kolegjiumin e Drejtorëve Komunalë të Arsimit, zyrtarë të të cilit javën e kaluar deklaruan se kanë mungesë të librave, pasi jo të gjithë janë kthyer nga nxënësit.
Mungesa e librave për këtë nivel është duke u shkaktuar probleme edhe mësimdhënësve. Shkurte Mehanolli, mësimdhënëse në shkollën “Asim Vokshi” në kryeqytet, thotë se kjo do t’i penalizojë nxënësit.
“Patjetër libri është burimi kryesor ndërsa ne përdorim edhe materiale të tjera shtesë, të cilët ndihmojnë në nxënien për nxënësit gjatë procesit mësimor… Ka krijuar mjaftë vështirësi, një pjesë e madhe e nxënësve sa unë kam parë në tre ditë mësimi nuk janë të pajisur me libra sepse janë ndërruar ndër vite dhe pa libra nuk mendojë se munden të kenë suksese”, tha Mehanolli.
Në Këshillin e Prindërve të Kosovës kanë kërkuar nga Ministria që t’i furnizojë me tekste shkollore edhe nxënësit nga niveli i pestë deri në të nëntin. Për këtë kategori, Ministria ka ndarë 30 euro për blerjen e mjeteve shkollore. /KOHA