Me vetëm 316 euro të siguruara nga aktiviteti “Java e Ushqimit”, shkolla fillore dhe e Mesme e Ulët “Naim Frashëri” në Breznicë ka arritur të realizojë përmirësime të rëndësishme në ambientet shkollore.
Falë këtyre mjeteve, janë rregulluar dhe ngjyrosur gjashtë klasa mësimore, si dhe është përmirësuar ndriçimi në hyrje të shkollës.
Në njoftimin e shkollës thuhet se këto ndërhyrje janë realizuar falë përkushtimit dhe angazhimit profesional të punëtorëve teknikë të institucionit.
Po ashtu, nga drejtoria është bërë e ditur se gjatë muajit dhjetor 2025 planifikohet rregullimi dhe ngjyrosja e edhe katër klasave të tjera, konkretisht për nxënësit e klasave II, III, VI dhe VII.
Në njoftimin zyrtar, drejtoria e SHFMU “Naim Frashëri” ka shprehur falënderim të veçantë për prindërit për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe mirënjohje të lartë për punën e zellshme dhe të palodhshme të punëtorëve teknikë, të cilët kanë kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve dhe ambientit mësimor për nxënësit.