Që nga fillimi i pandemisë, Covid-19 është konsideruar si një virus që kalohet lehtë nga fëmijët. Por në vendin tonë nuk kanë munguar rastet me komplikacione, tek fëmijët e infektuar me Covid-19.
Në lidhje me këtë ka folur Shefja e Shërbimit të Pediatrisë Infektive në QSUT, Gjeorgjina Kule, në një intervistë për ABC. Ajo tregon se fëmijët e kalojnë lehtë virusin, por ka pasur edhe raste të vështira. Kule i referohet rastit të një foshnje 16 muajsh që humbi jetën dhe një fëmije tjetër të intubuar për disa ditë, por që fatmirësisht tani është në gjendje të stabilizuar. Deri më tani në Shqipëri janë trajtuar dhe kuruar nga Covid 70 fëmijë. Ndërsa 10 janë fëmijë të infektuar, të cilët aktualisht vijojnë të shtruar në spital.
“Kemi 10 fëmijë të shtruar tashmë me Covid por që nga fillimi e deri më tani numri i fëmijëve me Covid të shtruar në spital shkon deri në 70 fëmijë. Kemi parë që forma të rënda koronavirusi ka bërë dhe të moshat e reja dhe e njëjta gje vlen të thuhet dhe te fëmijët me bronko-pneumoni, por dhe te fëmijët me sëmundje të ndryshme metabolike, me probleme të ndryshme gjenetike dhe me probleme zemre. Kemi pasur një rast fataliteti te një fëmijë me 16 muaj.”
Si po trajtohen fëmijët e shtruar me Covid?
Doktoreshë Kule thotë se terapia që përdoret tek fëmijët është e njëjtë me të rriturit, duke nisur nga oksigjeni dhe disa antibiotike, por ka ilaçe të tjera që nuk përdoren tek fëmijët.
“Në oksigjen janë futur të gjithë moshat, duke filluar nga një muajsh deri në 14 vjeç. Ne kemi pasur dhe një fëmijë të intubuar në repartin e terapisë infektive dhe fatmirësisht pati ecuri të mirë dhe u shërua. Duhet të kemi parasysh se rasti rastit nuk i ngjan, ka një udherrëfues ka disa insufiçenca bazë por nuk ka një preparat për të menaxhuar. Terapia që përdoret te fëmijët është e njëjtë dhe me të rriturit, ne përdorim antibiotiko terapinë, etj, ka dhe disa antibiotikë që ne nuk i përdorim në rastet e fëmijëve.”